Sulmet iraniane në Izrael, pesë shqiptarë ndodhen atje! Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme: Me prioritet situata e shtetasve tanë të prekur

14/06/2025 10:00

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar në lidhje me situatën e sulmeve iraniane në Izrael, nëse kjo situatë ka prekur shqiptarët që ndodhen atje.

Sipas tyre në Tel Aviv ndodhen 5 shqiptarë, por deri më tani nuk ka raportime për të lënduar, teksa janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet.

Ndërkohë Ministria ka vënë në dispozicion numra telefoni të emergjencës, për të kontaktuar Ambasadën Shqiptare atje.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek me prioritet dhe vëmendje të veçantë situatën e shtetasve shqiptarë në Izrael, të prekur nga zhvillimet e fundit.

Deri tani nuk ka asnjë raportim për qytetarë shqiptarë të lënduar apo të dëmtuar.

Aktualisht janë evidentuar pesë shtetas shqiptarë në Izrael: tre me status turisti dhe dy me qëndrim të përkohshëm.

Ambasada jonë në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me ta. Të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore, janë të informuar dhe po ndjekin udhëzimet e sigurisë të autoriteteve izraelite.

Njoftojmë se për shkak të situatës, fluturimet janë ndërprerë. Për çdo informacion shtesë dhe nevoja emergjente, lutemi të kontaktoni Ambasadën Shqiptare në Tel Aviv në numrat e emergjencës: 📞 +972 54 480 6601 📞 +972 54 904 2813″, njofton Ministria.

Top Channel