
Tensionet në Lindjen e Mesme kanë marrë një tjetër përmasë ndërkombëtare, pasi Kina reagoi ashpër ndaj sulmeve të fundit të Izraelit ndaj Iranit.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, në një bisedë telefonike me homologun iranian Seyed Abbas Araghchi, dënoi me forcë atë që e cilësoi si një shkelje flagrante të sovranitetit, sigurisë dhe integritetit territorial të Iranit.
“Kundërshtojmë me vendosmëri sulmet brutale ndaj zyrtarëve iranianë dhe viktimave civile. Mbështesim Iranin në mbrojtjen e sovranitetit të tij kombëtar dhe të drejtave të tij legjitime”, deklaroi Wang. Ai shtoi se sulmi ndaj objekteve bërthamore iraniane “vendosi një precedent të rrezikshëm që mund të ketë pasoja katastrofike”.
Në një tjetër telefonatë me ministrin e Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar, Wang Yi përsëriti qëndrimin tradicional të Pekinit për zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut dhe konsultimeve, duke theksuar se Kina kundërshton çdo përdorim të forcës dhe sanksioneve në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar me këtë sulm. Duhet vepruar menjëherë për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe për të mos zhytur rajonin në trazira të thella,” paralajmëroi diplomati kinez, duke nënvizuar nevojën për rikthim të menjëhershëm te diplomacia.
Ky reagim i fortë nga Pekini vjen në një kohë kur përplasjet midis Izraelit dhe Iranit kanë ngritur shqetësime të mëdha për stabilitetin rajonal dhe rrezikun e një konflikti të gjerë me pasoja ndërkombëtare.
Top Channel