Dyshohet se mori pjesë në masakrën e trefishtë në Bradashesh/ Gjykata e Posaçme lë në burg vëllanë e Nuredin Dumanit

14/06/2025 12:47

Gjykata e Posaçme la në burg Dashnor Dumanin, i cili është vëllai i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

40 vjeçari ishte në kërkim prej një viti pas masave të vendosura në mungesë për vrasje, vjedhje të kryera në kuadër të organizatës kriminale.

Vëllai i të penduarit të drejtësisë u ekstradua  nga Dubai së bashku  me Armes Stafën, i kërkuar për pastrim të parave dhe që konsiderohet si pjesë e grupit të Çopjave në Elbasan, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.

Dashnor Dumani dyshohet nga SPAK se mori pjesë në masakrën e trefishtë në Bradashesh në 2018 ku u vra edhe vëllai i Erjon Alibej, një tjetër i penduar i drejtësisë që po zbërthen sagën e krimeve në Shqipëri, si po hedh dritë mbi narkotrafikantë shqiptarë.

Në këtë ngjarje dyshohet sipas gjykatës se ka patur rolin e ekzekutorit, një moment që mohohet nga Nuredin Dumani, i cili u rekrutua nga Alibej si një vrasës me pagesë për të kryer eliminimet e kundërshtarëve ku më i kërkuari i Alibej ishte Talo Çela.

Erjon Alibej thotë se kreu hetim më të imtësishëm se institucionet shtetërore mbi njerëzit e përfshirë në masakrën e trefishtë dhe se i kërkoi Nuredin Dumanit ti qëndronte besnik dhe se do ta falte edhe në rast se i vëllai kishte qenë i përfshirë në krim. Me mbërritjen e 40 vjeçarit nga Emiratet e Bashkuara pritet që sërish SPAK të kryejë lëvizjen e radhës dhe ta pyesë nëse edhe ai do pranojë apo jo të bëhet i penduar si i vëllai, për sa kohë ai përmendet edhe në ngjarje të tjera siç është grabitja e Rinasit.

Ndërkohë i arrestuari tjetër Stafa, u la i lirë nga gjykata, me masën arrest shtëpiak mbas një shkrese të sjellë nga avokati i tij për tregonte se për kohën kur akuzohet se kreu krimin, ai nuk gjendej fare në Shqipëri, por në Itali i mbyllur në shtëpi nga covidi.

Top Channel