“Asnjë mbret në Amerikë”! Qindra persona protestojnë në Atlanta kundër paradës ushtarake të Trump: Paratë të shkojnë për popullin, jo për…

14/06/2025 18:19

Një turmë e madhe qytetarësh u mblodh të shtunën në mëngjes në Liberty Plaza, përballë Kapitolit të Shtetit të Xhorxhias në Atlanta, për të protestuar kundër paradës ushtarake të Presidentit Donald Trump në Uashington.

Demonstrata, e organizuar nga Koalicioni i Pandashëm i Xhorxhias, përfshinte 13 folës të planifikuar, mes tyre aktivistë dhe figura politike.

Me pankarta dhe flamuj amerikanë në duar, protestuesit brohorisnin në unison: “Asnjë mbret në Amerikë!” dhe “Veteranët tanë nuk luftuan për fashizmin”, duke kritikuar atë që e shohin si një përpjekje për të militarizuar simbolikisht pushtetin.

Shumë prej pjesëmarrësve e konsideruan paradën një shpenzim të pajustifikuar të fondeve publike. “Absolutisht nuk pajtohem me këtë. Njerëzit janë të uritur. Njerëzit po vuajnë. Ne kemi nevojë për ato para në vende të tjera”, tha për CNN Renee Hall-George, një punonjëse sociale.

Ajo ngriti pyetje retorike që pasqyruan thelbin e zemërimit publik: “Po sikur të financohet arsimi? Po sikur të ushqehen njerëzit? Po sikur të ofrohet kujdes shëndetësor?”.

Lyn Stubbs, një tjetër punonjëse sociale në tubim, e cilësoi paradën si një akt personal të presidentit për të krijuar frikë dhe për të forcuar imazhin e tij. “Duket sikur Trump e organizon këtë thjesht për t’u ndjerë më i madh dhe më mirë, dhe për të kërcënuar ata që guxojnë të flasin,” tha ajo.

Kristin Crowe, organizatore kryesore e protestës dhe zëdhënëse e Koalicionit të Pandashëm të Xhorxhias, theksoi mesazhin themelor të lëvizjes:

“Në Amerikë, nuk kemi mbretër, nuk kemi frone – pushteti i përket popullit dhe vendi i përket popullit,” deklaroi ajo, duke rikujtuar vlerat themelore demokratike.

Protesta vjen në një kohë kur veprimet simbolike të presidentit kanë ngjallur debat të gjerë rreth përdorimit të ushtrisë në shërbim të imazhit personal të liderit dhe balancës midis nacionalizmit dhe demokracisë.

Top Channel