
Prokuroria e Tiranës njoftoi arrestimin e ish kreut të Urdhrit të Stomatologut Nikoll Deda, prej tetë muajsh i marrë i pandehur për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, shpërdorim detyre dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
Prokuroria i ishte drejtuar gjykatës për ashpërsimin e qëndrimit ndaj 70 vjeçarit me arsyetimin se ekzistojnë dyshimet që ai të dëmtojë provat ose të arratiset, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.
Në vitin 2020 gjatë kohës që mbante detyrën e Presidentit të këtij urdhri, Deda u pezullua nga detyra me urdhër të akuzës për dyshimet e abuzimeve financiare dhe krijimin e një klime posedimi privat mbasi kishte angazhuar në këtë urdhër familjarët e tij.
I denoncuar në atë kohë nga Almiro Gurakuqi, hetimet zbuluan se presidenti I stomatologëve ka dyshime se rriti buxhetin me qëllim shpërdorimin e fondeve dhe përfitimit personal.
Në vitin 2020 thotë prokuroria e Tiranës kur buxheti ishte 38 milionë lekë , në vitin pasues ju shtuan edhe 13 milionë të tjera dhe në 2022 edhe 125 milionë lekë të tjera.
Prokurori njofton se Deda iu është shmangur veprimeve hetimore dhe se në cilësinë e drejtuesit lejoi punësimin pa kriter, dhe të familjarëve me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar.
Vendimi i Prokurorisë së Tiranës:
Me kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u ekzekutua masa “Arrest në burg” për shtetasin N.D. për kryerjen e veprave penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” të parashikuar nga nenet 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal.
Ky shtetas u denoncua nga shtetasi A.G. në Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar për shpërdorim të fondeve dhe se ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke rritur buxhetin e ‘Urdhrit të Stomatologut’ nga viti në vit.
Në vitin 2020 ku buxheti ishte 38.500.000 Lek, në vitin 2021 e ka shtuar në vitin me 13.500.000 Lek më shumë. Në vitin 2022 buxheti ka shkuar në vlerën 125.837.000 Lek për arsye se ka blerë dhe godinë për institucionin, duke përfshirë dhe investimin që ka bërë brenda godinës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ka dyshime të arsyeshme se gjithë rritja e buxhetit ka qenë me qëllim shpërdorimin e fondeve dhe përfitimeve personale për vete apo persona të tretë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë çmon se në ngarkim të të dyshuarit N.D. ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se ka konsumuar elementët e figurës së veprave penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” të parashikuar nga nenet 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal.
Sipas raporti Informacioneve shtetasi N.D. është larguar dhe i është shmangur veprimeve hetimore të kryera nga policia gjyqsore duke e bërë evident e konkret rrezikun e ikjes dhe shgmangies nga pergjegjesia penale. Shtetasi në fjalë në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin e njerëzve pa kriter, familjarë të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016.
Pavarësisht se është marrë i pandehur dhe është aktualisht në proces gjyqësor i akuzuar për nenin 320 të Kodit Penal në një tjetër procedim, ka ndërmarrë veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së.
Organi i Prokurorisë vlerëson se është e nevojshme marrja e masës së sigurimit personal ndaj shtetasit Nikoll Deda, pasi ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës dhe ekziston rreziku që ai të largohet.
Top Channel