Sulmet e Izraelit, mbi 20 komandantë të vrarë, mes tyre shefi i Gardës Revolucionare të Iranit/ Kush është Hossein Salami, i sanksionuar nga OKB dhe SHBA

13/06/2025 13:20

Shefi i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, është vrarë në një sulm izraelit, sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane.

Ai është në mesin e të paktën 20 komandantëve të lartë iranianë që u vranë në sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit të premten.

Fereydoon Abbasi, ish-kreu i Organizatës për Energji Atomike, është vrarë gjithashtu, kanë raportuar mediat shtetërore.

Një zyrtar izraelit tha se sulmet kishin në shënjestër “programin bërthamor të Iranit dhe objektiva të tjerë ushtarakë”.

Hossein Salami, komandanti i Gardës Revolucionare Islamike, është ndoshta udhëheqësi më i lartë iranian që është vrarë nga sulmet izraelite.

Salami u bashkua për herë të parë me Gardën Revolucionare në vitin 1980, gjatë shpërthimit të Luftës Iran-Irak.

Ndërsa ngjitej në hierarkinë ushtarake, ai u bë i njohur për retorikën e tij të ashpër kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Që nga vitet 2000, ai është sanksionuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe nga SHBA për përfshirjen e tij në programet bërthamore dhe ushtarake të Iranit.

Ai ishte drejtuesi i Gardës Revolucionare në vitin 2024 kur Irani ndërmori sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj Izraelit, duke lëshuar mbi 300 dronë dhe raketa.

Ndërsa tensionet me Izraelin u rritën në ditët e fundit, Salami deklaroi të enjten se Irani ishte “plotësisht i gatshëm për çdo skenar, situatë dhe rrethanë”.

“Armiku mendon se mund të luftojë Iranin në të njëjtën mënyrë siç lufton palestinezët e pambrojtur që janë nën bllokadën izraelite,” tha ai. “Ne jemi të kalitur në luftë dhe me përvojë.”

Top Channel