Një karvan pro-palestinez nga Tunizia dhe një grup aktivistësh që morën pjesë në Marshimin Global për në Gaza, janë ndaluar të premten, përkatësisht në Libi dhe Egjipt, ndërsa përpiqeshin të thyenin simbolikisht bllokadën izraelite ndaj Rripit të Gazës.

Sipas organizatorëve, karvani “Soumoud”, që përfshin rreth 1,000 aktivistë nga Tunizia, Algjeria, Maroku dhe Mauritania, u ndalua në hyrje të qytetit Sirte, nën kontrollin e forcave të Feldmarshallit Khalifa Haftar. Përparimi i tyre drejt Gazës mbetet i pezulluar, pasi autoritetet egjiptiane ende nuk kanë dhënë leje hyrjeje.

Ndërkohë, rreth 40 pjesëmarrës të Marshimit Global për në Gaza, mes tyre qytetarë francezë, spanjollë, turq, britanikë dhe kanadezë, u ndaluan rreth 45 kilometra në lindje të Kajros. Pasaportat e tyre u konfiskuan dhe shumë prej tyre mbeten të bllokuar në hotele.

Organizatorët theksojnë se lëvizja është paqësore dhe respekton ligjet egjiptiane, duke i bërë thirrje misioneve diplomatike të ndërhyjnë. Ata shprehen të zhgënjyer nga mënyra e trajtimit nga autoritetet, duke përmendur arrestime, deportime dhe ndalime të papritura në aeroporte dhe hotele.

Të mërkurën, Ministria e Jashtme egjiptiane ritheksoi nevojën për presion ndërkombëtar ndaj Izraelit për të hequr rrethimin e Gazës, por theksoi gjithashtu se çdo aktivitet i delegacioneve të huaja në Egjipt kërkon leje paraprake.

Aktivistët shpresojnë ende që autoritetet egjiptiane të lejojnë marshimin për të vijuar përmes Sinait drejt qytetit të Rafah. Deri tani, megjithatë, sinjalet mbeten negative.

Top Channel