
Reperi nga Atlanta, i njohur për hitin global “Watch Me (Whip/Nae Nae)”, është dënuar me 30 vite burg pasi pranoi fajësinë për vrasjen e kushëririt të tij në vitin 2021.
Ricky Hawk, 27 vjeç, i njohur me emrin artistik Silentó, u deklarua fajtor – por me probleme mendore – për vrasje me dashje, sulm të rënduar dhe akuza të tjera, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 21 janar 2021 në DeKalb County, Georgia.
Policia gjeti viktimën, Frederick Rooks III, 34 vjeç, të qëlluar me disa plumba në një lagje të qetë në Deep Shoals Circle. Kamerat e sigurisë kapën një BMW të bardhë që largohej nga vendi i ngjarjes, dhe dëshmitarët thanë se Rooks ishte parë për herë të fundit me Silentón, i cili e kishte marrë me makinë pak para vrasjes.
Hetuesit e identifikuan më pas Hawk si autorin e krimit. Ai e pranoi fajin pas arrestimit, ndërsa gëzhojat e gjetura në vendin e krimit përputheshin me armën që kishte me vete në momentin e ndalimit.
Pas arrestimit, përfaqësuesja e tij, Chanel Hudson, kërkoi publikisht përkrahje emocionale dhe lutje për artistin, duke theksuar se ai ka vuajtur prej vitesh nga probleme të rënda të shëndetit mendor.
Silentó u bë i famshëm në vitin 2015, në moshën 17-vjeçare, me këngën “Watch Me (Whip/Nae Nae)”, e cila u kthye në një sensacion viral në rrjetet sociale dhe arriti vendin e tretë në Billboard Hot 100. Ai publikoi albumin e tij të parë në vitin 2019, por karriera e tij u shoqërua edhe me probleme ligjore të mëhershme, përfshirë një arrestim për vozitje me shpejtësi ekstreme dhe një incident të dhunshëm në Los Angeles.
Reperi kishte qenë në paraburgim që nga arrestimi i tij dhe tani do të vuajë një dënim prej tri dekadash pas vendimit të gjykatës së DeKalb County.
Top Channel