
Sabrina Carpenter ka ndezur debatet me imazhin e kopertinës së albumit të saj të ardhshëm Man’s Best Friend, të cilin e publikoi së fundmi në Instagram.
Fotografia “e guximshme” e 26-vjeçares amerikane, siç e përshkruan The Sun, ku ajo shfaqet e gjunjëzuar me një pozë seksualisht sugjestive, ka ngjallur reagime të forta në rrjete sociale dhe nga organizata kundër dhunës në familje.
Këngëtarja, e njohur për hitin “Espresso” dhe e konsideruar dikur si një figurë e dashur për fëmijët nga ditët e saj në Disney Channel, po akuzohet nga disa se po promovon imazhe regresive dhe të papërshtatshme, veçanërisht duke pasur parasysh audiencën e saj të re.
Një organizatë bamirëse deklaroi se “kopertina nuk është provokuese, por regresive”, ndërsa një përdorues në platformën X e quajti thjesht “fantazi e Pornhub”. Kritikat vijnë në një kohë kur shqetësimet për ndikimin e pornografisë online në të rinjtë janë në rritje.
Përtej kësaj, Carpenter është përshëndetur nga një pjesë e fansave për qasjen e saj të hapur ndaj seksualitetit dhe për kontrollin që ka mbi imazhin e vet artistik. Megjithatë, zhurma që ka shkaktuar kjo kopertinë ka rikthyer diskutimet mbi kufijtë midis artit, marketingut dhe ndikimit që kanë figurat publike te audiencat e tyre më të reja.
Ndërkohë, suksesi i Carpenter vazhdon të jetë i padiskutueshëm — albumi i saj i fundit Short N’ Sweet shënoi sukses të madh në renditje muzikore dhe turneu i saj u shoqërua me shitje të menjëhershme biletash, ku shpesh dominuan adoleshentë dhe fëmijë të moshës shkollore.
Me kopertinën e re dhe imazhin gjithnjë e më seksual, këngëtarja duket e vendosur të lërë pas profilin e saj të hershëm si yll i Disney-t — një tranzicion që, për shumë prindër dhe kritikë, është gjithnjë e më shqetësues.
Top Channel