Çfarë do vërtetë Netanyahu? E sheh Iranin kërcënimin kryesor, i vetmi që mund të sulmojë këdo në rajon

13/06/2025 22:10

Operacionet e fundit të Izraelit ndaj Republikës Islamike të Iranit nuk përfaqësojnë më thjesht përpjekje për të ndalur garën bërthamore të Teheranit.

Përkundrazi, ato sinjalizojnë nisjen e një konflikti të hapur dhe të drejtpërdrejtë, me objektiv strategjik: shkatërrimin e aftësive ushtarake iraniane dhe eliminimin e figurave kyçe që kanë ndërtuar këtë kapacitet.

Ndaj edhe pyetja është: çfarë kërkon në të vërtetë Netanyahu?

Ndryshe nga ndërhyrjet e mëparshme të cilat shpesh janë justifikuar si masa parandaluese ndaj kërcënimeve bërthamore, kjo fushatë izraelite përbën një përshkallëzim të madh gjeopolitik. Ajo tejkalon përmasat e përplasjeve të mëparshme të shkaktuara nga reagimet e qeverisë së Benjamin Netanyahut ndaj sulmeve xhihadiste dhe operacioneve në Rripin e Gazës. Kjo herë, Izraeli është fokusuar në thelbin e strukturës ushtarake të Iranit, duke goditur objektiva strategjike të vendosura mbi 1,500 kilometra larg.

Irani, edhe pse ka pësuar humbje të konsiderueshme në 13 muajt e fundit, vazhdon të mbetet një fuqi rajonale me kapacitet për të reaguar në mënyrë të dhunshme në të gjithë rajonin. Si përgjigje ndaj këtij kërcënimi, ushtria izraelite është angazhuar në vrasjen e liderëve të organizatave të lidhura me Gardën Revolucionare dhe ka ndërmarrë hapa për të neutralizuar mbrojtjen ajrore të Iranit, një veprim që i hap rrugë një fushate të zgjeruar ajrore.

Kjo lëvizje e Izraelit tregon një ndryshim të madh në strategjinë ushtarake dhe diplomatike të vendit. Jo më një luftë e heshtur në hije, por një betejë e hapur për të sfiduar një regjim që vazhdon të konsiderohet si kërcënimi më serioz për sigurinë kombëtare izraelite.

Top Channel