Vuçiç refuzon të nënshkruajë deklaratën që dënon agresionin rus në Samitin e Ukrainës: Mbajmë pozicion neutral!

12/06/2025 07:31

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë vizitës së parë në Ukrainë që prej fillimit të agresionit rus, deklaroi se Serbia nuk ka ndërmarrë veprime kundër Rusisë dhe ka ruajtur një pozicion neutral.

Gjatë Samitit Ukrainë – Evropa Juglindore në Odessa, ai theksoi se nuk ka nënshkruar deklaratën që dënon agresionin rus, pasi ajo përfshinte kërkesa për vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.

“Kam qenë sërish i vetmi që nuk e ka mbështetur deklaratën. Ne nuk pranojmë automatikisht çdo gjë kundër Rusisë, siç bëjnë të tjerët”, tha Vuçiç para gazetarëve në Odessa. Ai shtoi se nuk është përballur me ndonjë presion të madh për ta firmosur dokumentin.

Vuçiç theksoi se është krenar për qasjen e pavarur të Serbisë dhe deklaroi se kjo politikë do të vazhdojë.

Ai gjithashtu u shpreh se Serbia respekton të drejtën ndërkombëtare dhe integritetin territorial të shteteve të njohura nga Kombet e Bashkuara – përfshirë Ukrainën, shkruan danas.rs.

Deklarata e nënshkruar nga udhëheqës të vendeve të tjera të rajonit, si Rumania, Kroacia, Moldavia dhe Greqia, dënonte ashpër agresionin rus, kërkonte largimin e trupave ruse nga territori ukrainas, anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe ndëshkimin e krimeve të luftës. Dokumenti përmendte edhe dëbimin e civilëve ukrainas, përfshirë fëmijë, drejt Rusisë.

Në fjalimin e tij në samit, Vuçiç falënderoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për respektimin e integritetit territorial të Serbisë dhe theksoi se në këtë takim nuk kishte përfaqësues nga Kosova. Ai propozoi që Serbia të kontribuojë në rindërtimin e një ose dy qyteteve në Ukrainë, si akt solidariteti me popullin ukrainas.

Zelensky, nga ana e tij, vlerësoi pjesëmarrjen e Vuçiçit dhe tha se vizita e tij në kohë lufte është një sinjal i rëndësishëm. Ai falënderoi Serbinë për mbështetjen ndaj integritetit të Ukrainës dhe për gatishmërinë për të marrë pjesë në procesin e rindërtimit pas luftës.

Pavarësisht kësaj mbështetjeje simbolike, Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë që nga nisja e luftës dhe ka ruajtur lidhje të ngushta me Moskën. Vuçiç ishte i pranishëm në Paradën e Fitores më 9 maj në Moskë, ku u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.

Pas samitit, në një postim në Instagram, Vuçiç shkroi se kishte diskutuar me Zelenskyn për rëndësinë e paqes së qëndrueshme dhe respektimit të të drejtës ndërkombëtare. Ai përmendi gjithashtu bashkëpunimin ekonomik dhe planet për thellimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme.

Ndërkohë, Serbia është përballur me akuza nga Shërbimi i Jashtëm i Sigurisë i Rusisë, i cili më 28 maj e akuzoi Beogradin se, ndonëse deklaron neutralitet, ka furnizuar Ukrainën me municione, duke i shkaktuar “goditje pas shpine” Moskës. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga autoritetet serbe, të cilat thonë se nuk eksportojnë drejtpërdrejt armë në Ukrainë apo Rusi, dhe se nuk janë përgjegjëse për destinacionin përfundimtar të armatimeve të shitura përmes ndërmjetësve.

Vuçiç ka premtuar se do të ndërpriten të gjitha kontratat e shitjes së armëve nëse dyshohet se ato mund të përfundojnë në frontin ukrainas.

Top Channel