Të kesh një motër në jetë nuk është vetëm një bekim familjar, por edhe një faktor kyç për shëndetin mendor dhe zhvillimin emocional.

Këtë e konfirmojnë disa studime shkencore që tregojnë ndikimin pozitiv që motrat kanë në mirëqenien psikologjike.

Një studim i vitit 2010 nga Universiteti Brigham Young, i drejtuar nga profesorja Laura Padilla-Walker dhe i publikuar në “Journal of Family Psychology”, analizoi 395 familje me adoleshentë të moshës 10–14 vjeç.

Rezultatet treguan se fëmijët që kishin motra ndiheshin më pak të vetmuar, kishin më pak ndjenja faji apo frike dhe shfaqnin aftësi më të mira sociale.

Motrat, sipas studiuesve, luajnë një rol kyç në krijimin e një ambienti të hapur brenda familjes, ku komunikimi dhe shprehja e ndjenjave janë më të natyrshme.

Kjo atmosferë favorizon një gjendje të shëndetshme mendore dhe emocionale.

Një tjetër studim i vitit 2009, i realizuar nga profesor Tony Cassidy i Universitetit të Ulster dhe Dr. Liz Wright nga De Montfort University, përfshiu 571 të rinj.

I prezantuar në konferencën vjetore të “British Psychological Society”, ky hulumtim tregoi se personat që kishin motra ishin më optimistë dhe më të pavarur emocionalisht.

Sipas ekspertëve, motrat ndikojnë në zhvillimin e ndjeshmërisë emocionale dhe krijojnë lidhje më të ngushta brenda familjes, gjë që ndihmon në përmirësimin e mirëqenies mendore për të gjithë anëtarët.

Këto gjetje theksojnë se motrat nuk janë thjesht shoqe të fëmijërisë, por faktorë të rëndësishëm në formësimin e inteligjencës emocionale dhe qëndrueshmërisë psikologjike – cilësi që lidhen ngushtë me suksesin dhe lumturinë në jetë./ TAR

Top Channel