Shefi i Pentagonit vihet në “siklet” në senat: Kush doni ta fitojë luftën Rusi-Ukrainë?

12/06/2025 13:19

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, u gjend në vështirësi gjatë një seance dëgjimore të tensionuar në Senat, kur republikani Mitch McConnell e pyeti drejtpërdrejt se cilën palë dëshiron që ta fitojë në luftën në Ukrainë.

Shefi i Pentagonit e tha hapur se Rusia është vendi agresor, por nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë pyetjes së senatorit.

“Siç e kemi thënë shumë herë, presidenti është i përkushtuar për paqen në këtë konflikt. Në fund të fundit, paqja është në interesin tonë kombëtar dhe ne besojmë se është në interes të të dyja palëve – edhe pse një rezultat i tillë mund të mos jetë i pranueshëm për shumë njerëz në këtë sallë dhe në vendin tonë”, tha Hegseth.

Pyetjet me spec të McConnell nuk përfunduan këtu: Ai kërkoi më tej të dinte se cilën anë mbështet presidenti Kinez Xi Jinping, për të cilën Hegseth dha një përgjigje komplekse. Teksa kritikoi politikat e administratës së mëparshme, ai u duk se e pranoi në fund që Pekini ndoshta dëshiron një triumf të Moskës në këtë konflikt.

“Një gjë është e sigurt, ne nuk duam që titujt në fund të kësaj lufte të shkruhen ‘Rusia fitoi, Amerika humbi’”, insistoi nga ana e tij McConnell, i cili nënvizoi se në një kohë kur kundërshtarët e Amerikës po afrohen gjithmonë e më shumë me njëri-tjetrin, është e rëndësishme të ruhet pozicioni global.

Top Channel