
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë e kryeministrit Edi Rama ndaj Lulzim Bashës.
Kjo padi është bërë në vitin 2018 nga kryeministri Edi Rama ndaj Lulzim Bashës, në lidhje me një deklaratë të bërë nga ky i fundit ndaj numrit një të PS.
Gjykata ka shpallur sot vendimin, duke rrëzuar kërkesën e Ramës dhe duke renditur arsyet e këtij vendimi.
“Gjykata, bazuar në rrethanat e konstatuara gjatë hetimit gjyqësor, në dispozitat ligjore përkatëse dhe në arsyetimin e mësipërm, çmon se padia nuk duhet pranuar pasi është e pabazuar në ligj dhe në prova”, deklaron Gjykata.
Basha kishte deklaruar se Edi Rama në Durrës dhe në Dibër i kishte fituar zgjedhjet me ndihëm e bandave.
Njoftimi i Gjykatës:
Referuar interesit të shfaqur nga disa gazetarë, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, më datë 11.06.2025, pasi shqyrtoi në seancë gjyqësore, në praninë e përfaqësuesit të palës paditësë, kërkesën me paditës: Edi Rama, të paditur Lulzim Basha, me objekt:
1. Detyrimi i të paditurit të shpërblejë dëmin jo pasuror, shkaktuar paditesit, si rezultat i thënieve të pavërteta të deklaruara prej tij, nga selia e Partisë Demokratike, në prononcim për mediat me datë 22.10.2018, në shumën 1.000.000 (një milion) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore.
2. Detyrimi i të paditurit të publikojë një përgënjeshtrim në të gjitha mediat që kanë publikuar deklaratën apo lajmin mbi të, sipas listës së përcaktuar në pikën D.2 të kërkesë padisë”.
Gjykata, bazuar në rrethanat e konstatuara gjatë hetimit gjyqësor, në dispozitat ligjore përkatëse dhe në arsyetimin e mësipërm, çmon se padia nuk duhet pranuar pasi është e pabazuar në ligj dhe në prova,
PËR KËTO ARSYE; Gjykata mbështetur në nenet 126, 306 deri 310 të Kodit të Procedurës Civile
V E N D O S I:
1. Rrëzimin e padisë pasi është e pabazuar në ligj e në prova.
2. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës paditëse.
3. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Juridiksioni i Përgjithshëm brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve duke nisur afati nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Shpallet sot në Tiranë më datë 11 qershor 2025.
Top Channel