Do dilte në pension më 1 korrik, humb jetën gjatë ndjekjes së grabitësit polici 60-vjeçar

12/06/2025 11:32

Një polic italian humbi jetën sot, në provincën e Brindisit, në Itali teksa ndiqte disa grabitës.

Carlo Legrottaglie, polici 60-vjeçar, ishte në shërbim në njësinë radiomobile të Francavilla-s dhe ishte pranë daljes në pension.

Sot do të ishte dita e tij e fundit e punës, nga nesër do të fillonte pushimin para daljes zyrtare në pension më 1 korrik.

Sipas informacioneve të deritanishme rreth ngjarjeve, Legrottaglie dhe kolegët e patrullës kishin ndërhyrë për të ndaluar një grabitje në një pikë karburanti. Gjatë ndjekjes makina e grabitësve u përplas me makinën e patrullës.

Në atë moment, grabitësit kanë dalë nga makinat dhe janë ndjekur në këmbë nga dy policët. Pikërisht atëherë, një nga keqbërësit ka qëlluar me armë, duke e goditur Legrottaglie-n, i cili është rrëzuar në tokë.

Polici tjetër, shpëtoi pa u plagosur, dhënë alarmin për ndihmë mjekësore, por Legrottaglie nuk u shpëtua dot. Patrullat e forcave të rendit po kërkojnë autoret nëpër fshatrat e zonës me anë të helikopterit. Ndërkohë zona është izoluar që policia të kryejë hetime.

Legrottaglie ishte në shërbim në njësinë radiomobile të Francavilla Fontana, por jetonte në Ostuni me bashkëshorten dhe dy vajzat. Siç ka lajmëruar edhe kryetari i bashkisë së Francavilla Fontana, Antonello Denuzzo, i ndjeri do të dilte në pension më 1 korrik. Por sot ishte dita e tij e fundit e punës, pasi nesër do të fillonte pushimin.

Top Channel