Divorci i Mauro Icardit dhe Wanda Narës merr përmasa dramatike: Akuza për vjedhje, një “biznes”…

12/06/2025 08:23

Marrëdhënia mes Mauro Icardit dhe Wanda Narës po përfundon jo vetëm si një lidhje martesore, por edhe si një bashkëpunim biznesi që për vite me radhë ka qenë në syrin e publikut.

Pas një historie të gjatë plot ulje-ngritje, tradhti dhe ribashkime të bujshme, çifti tani ndodhet në mes të një divorci të tensionuar, i cili po shoqërohet me akuza serioze dhe konflikte financiare.

Në qendër të përplasjes është një shumë prej 7 milionë eurosh, të cilat Icardi pretendon se Wanda i ka transferuar në llogarinë e saj personale pa miratimin e tij. Ai ka hedhur akuza të forta në rrjetet sociale, duke shkruar:

“Kam gjetur prova në telefon. Ajo nuk ka menduar kurrë për vajzat e saj, vetëm për egon e vet”.

Sipas raportimeve nga mediat argjentinase, sulmuesi i Galatasarayt ka ndërmarrë tashmë hapa ligjorë duke paditur Wandën për vjedhje, duke e kthyer kështu këtë ndarje në një çështje të ashpër gjyqësore. Deri tani, Wanda Nara nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave.

Divorci i tyre ka kapur vëmendjen e mediave ndërkombëtare, jo vetëm për shkak të emrave të përfshirë, por edhe për dramat që shpalosen çdo ditë në publik.

Tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për fundin e një martese, por për shpërbërjen e një partneriteti të tërë personal dhe profesional, që për një kohë të gjatë ka funksionuar si një “markë” e fuqishme./ TAR

Top Channel