
Autoriteti Palestinez tha se do të marrë pjesë në konferencën e Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme, me shpresën për të ringjallur një proces të paqes që prej kohësh është bllokuar.
Ky autoritet, përfaqësuesi i palestinezëve që njihet ndërkombëtarisht, përballet me një detyrë të vështirë. Ai nuk është popullor në mesin e popullatës dhe është i dobësuar për shkak të viteve të tëra të përçarjeve të brendshme palestineze dhe për shkak të konfliktit me Izraelin.
Megjithatë, kryeministri Mohammed Mustafa i tha gazetarëve në qytetin e Ramallahut në Bregun e pushtuar Perëndimor të enjten se mbledhja e diplomatëve dhe liderëve botërorë në Nju Jork javën e ardhshme ofron vendin e përshtatshëm për të ringjallur përpjekjet për paqe.
“Shpresojmë që kjo të jetë një fillim i ri për rifillimin e një procesi serioz, me afate kohore dhe drejtësi”, tha ai.
Konferenca, që pritet të nisë të martën, më 17 qershor, synon të rinovojë mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez. Përderisa çdo deklaratë pritet të jetë kryesisht simbolike, Mustafa tha se një shfaqje e madhe e mbështetjes ndërkombëtare do të vinte në pah rëndësinë e autoritetit.
“Ne ende duam të shohim që kjo të çojë në negociata dypalëshe midis nesh dhe Izraelit që do të zgjidhnin çështjet e hapura”, shtoi ai.
Rundi i fundit i bisedimeve të mirëfillta për paqe ishte mbajtur mbi një dekadë më parë dhe gjasat që bisedimet të rinisin janë të pakta, veçmas në kohën kur lufta në Gazë po vazhdon. Qeveria e Izraelit është e dominuar nga ultranacionalistët të cilët e kundërshtojnë pavarësinë palestineze.
Autoriteti Palestinez administron në disa zona të vogla në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe ky autoritet po tenton që të bëhet lojtar në Gazën e pasluftës.
Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e kishin rrëzuar nga pushteti Autoritetin Palestinez, kur mori kontrollin e Gazës më 2007.
Para konferencës së OKB-së, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, i ka shkruar një letër presidentit francez, Emmanuel Macron, duke bërë thirrje për armëpushim në Gazë, për zbatimin e një plani arab për rindërtim dhe që një qeveri palestineze të marrë nën kontroll Rripin e Gazës pas luftës.
Në letër, ai ka dënuar sulmin e 7 tetorit 2023 të kryer nga Hamasi në Izrael, që nxiti luftën në Gazë, dhe po ashtu Abbas ka bërë thirrje për lirimin e të gjitha pengjeve që ende mbahen nga Hamasi në Gazë.
OKB-ja ka thënë se konferenca synon rikthimin e fokusit në zgjidhjen me dy shtete, ku shteti i Izraelit dhe një shtet palestinez do të ekzistonin pranë njëri-tjetrit.
Mustafa tha se përparimi në këtë drejtim duhet të nisë me një armëpushim në Gazë.
Palestinezët kërkojnë që të krijojnë shtetin e tyre në Bregun Perëndimor, Gazë dhe Jerusalemin Lindor – zona që Izraeli ka okupuar në Luftën e Lindjes së Mesme më 1967. /REL
Top Channel