
Prej datës 2 qershor kanë nisur regjistrimet për fëmijët në çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit. Për herë të parë ky proces po kryhet online përmes platformës e-fëmijet.tirana. al.
Deri më tani ka pasur 5900 aplikime, ku përfshihet regjistrimi I fëmijëve në çerdhe, kopsht, kalimi nga çerdhja në kopsht apo kërkesa për transferime.
Drejtoresha e kopshteve dhe çerdheve të Tiranës, Zhaneta Beqiri tregon se procesi deri më tani ka shkuar mirë dhe se interesi ka qenë i lartë.
“Është java e dytë që vazhdojnë aplikimet për të marrë shërbim në çerdhe dhe në kopshte. Ka shkuar çdo gjë konform pritshmërive. Fakti që ka 5900 llogari të hapura në platformë do të thotë që edhe ato momentet e para që ishin të vështirë, sepse pati edhe ditën e parë, ditën e dytë, edhe fluksi I madh i hyrjeve të menjëhershme për të marr këtë shërbim, bëri që me kalimin e ditëve të normalizohet dhe ato vështirësitë e para të kalohen. Është risi dhe siç do risi do pak kohë që të përvetësohet nga njerëzit që janë të interesuar.”, shprehet Zhaneta Beqiri.
Vit pas viti kërkesat e prindërve për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet publike ka qenë në rritje, duke tejkaluar dhe kapacitete infrastrukturore. Ndaj shqyrtimi i aplikimeve dhe regjistrimi bëhen në bazë të disa kritereve, duke iu dhënë prioritet kategorive më vulnerabël. Por për t’iu dhënë të drejtën e këtij shërbimi sa më shumë familjeve, këtë vit, kryeqytetit do ti shtohet një kopsht dhe një çerdhe e re.
“Momentalisht ne kemi 2700 vende të lira në çerdhe, 2500 vende të lira në kopsht dhe lajmi I mirë është që në shtator shtohet një kopsht i ri në zonën e medresesë, ku do sistemohen fëmijë edhe të njësisë 8 dhe njësisë 9 sepse është zonë kufitare dhe është një kopsht me kapacitet rreth 200 fëmijë. Për herë të parë hapet dhe një çerdhe në zonën e Farkës të Lundrës, që do jetë një çerdhe me 120 apo 150 fëmijë në varësi edhe të kërkesave”, shton më tej ajo.
Pasi të mbyllet procesi i aplikimeve më 22 qershor, do të nis vlerësimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit dhe përgjigjet pritet të dalin në 15 ditëshin e parë të gushtit, ku prindërit do të njoftohen përmes e-mailit.
Top Channel