
Kosova ka shprehur gatishmërinë që të strehojë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu ka konfirmuar se ekzekutivi i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së administratës amerikane për pranimin dhe zhvendosjen e shtetasve të vendeve të treta në Kosovë.
“Në përgjigje të kërkesës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në trajtimin e kësaj çështjeje, në përputhje me kushtet e përcaktuara“, ka thënë ai, teksa ka shtuar se deri në 50 persona mund të zhvendosen përkohësisht në Kosovë për një periudhë një vjeçare.
“Përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik“, ka treguar Kryeziu.
Ai ka shtuar se më shumë informacione do të japin ndërkohë. Muajin e kaluar, qeveria në detyrë ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim edhe me Mbretërinë e Bashkuar për ngritjen e “qendrave të kthimit” në Kosovë për azilkërkuesit e refuzuar nga autoritet atje.
Ndërkohë, Kosova ka lidhur marrëveshje në vitin 2022 me Danimarkën për dhënien me qira të qendrës së paraburgimit në Gjilan. Sipas njoftimit të fundit të autoriteteve daneze në vitin 2027 në Kosovë do të zhvendosen të burgosurit e parë që pas përfundimit të dënimit do të depërtohen për në vendet e tyre të prejardhjes.
Në këmbim të këtij shërbimi Kosova do të përfitojë 200 milionë euro. Si pjesë e marrëveshjes me ShBA-të, në vitin 2021 Kosova ka strehuar edhe rreth 1900 shtetas afganë pas rimarrjes së pushtetit atje nga talebanët.
Top Channel