Protestat masive në Los Angelos, vendi i kufizuar me orë policore! Aksion arrestimesh

11/06/2025 08:17
Getty Images

Një shtetrrethim është vendosur aktualisht në disa zona të qendrës së Los Anxhelosit, ndërsa autoritetet raportojnë për dhjetëra arrestime të protestuesve.

Demonstratat kundër Zyrës së Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) dhe politikave të administratës Trump janë përhapur në dhjetëra qytete në mbarë vendin, përfshirë Nju Jorkun, Çikagon dhe Teksasin, ku është aktivizuar edhe Garda Kombëtare.

Sipas kryetares së bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, ndalimi i qarkullimit është në fuqi nga ora 20:00 deri në 06:00 dhe mund të zgjasë për disa ditë. Masat prekin një zonë të kufizuar rreth 1 milje katrore dhe ndikojnë në më pak se 100,000 banorë.

“Ky është një reagim ndaj përshkallëzimit të situatës në terren. Qëllimi është mbrojtja e sigurisë publike, jo shtypja e zërit qytetar,” tha Bass në një deklaratë të martën në mbrëmje.

Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit konfirmoi se ka kryer arrestime masive, duke ndaluar qindra persona për mosshpërndarje nga zona të paligjshme tubimi. Të paktën 378 persona janë arrestuar që nga fillimi i protestave të premten e kaluar.

Protestat u nxitën nga bastisjet e ICE-së që filluan të premten dhe që kanë çuar në arrestimin e dhjetëra personave, përfshirë në vendet e punës. Autoritetet lokale në Kaliforni thonë se nuk informohen paraprakisht për operacionet e ICE-së, duke ngritur shqetësime për mungesën e transparencës.

Top Channel