Një emigrant shqiptar është heroi i ditës sot në Greqi. Ai ka nxjerrë nga një lumë në zonën e Artës dy fëmijë që po mbyteshin duke u shpëtuar jetën.

Ngjarja ka ndodhur në mëngjes kur një grup prej katër fëmijësh mbërriti në lumin Arahthos, në zonën e Neohorit. Dy prej tyre vendosën të futeshin në ujë, por papritur, shokët e tyre që ndodheshin në breg i humbën nga pamja. Njëri nga fëmijët që mbetën në breg shkoi në një lokal pranë lumit dhe njoftoi se kishin humbur shokët e tyre dhe kishin nevojë për ndihmë.

Klientët vrapuan menjëherë për të ndihmuar, mes tyre edhe Levian Gega. Vlen të theksohet se thellësia në atë zonë arrin deri në 6 metra dhe në disa pika kalon 7-8 metra. Banorët që u nxituan të ndihmojnë organizuan një operacion të vërtetë shpëtimi duke përdorur varka dhe litarë për të nxjerrë në kohë fëmijët nga uji.

Një prej dëshmitarëve ka folur tek televizioni shtetëror ERT për personin që u hodh në ujë në vendin ku u zhdukën fëmijët, duke e përshkruar si një ish-punonjës i lokalit që jeton prej vitesh në Neohori dhe njihet nga të gjithë si Leo.

Vetë Leviani, që ka folur para mediave lokale, ka përshkruar me lot në sy momentet kur ka nxjerrë nga uji fëmijën e parë dhe më pas të dytin. “Erdhën dhe kërkuan ndihmë. Hoqa rrobat dhe u hodha në ujë. Nxora njërin, pastaj shkova të gjej tjetrin. U zhyta, por nuk arrita ta gjej. Pastaj u hodha nga varka, ishte shumë thellë, 5-6 metra. E pashë fëmijën shtrirë, e kapa, me zor e nxora jashtë… mezi merrja frymë”, tha ai.

“Unë jam i huaj, por bëra një të mirë, nuk ka rëndësi origjina. Të mos i ndodhë askujt. Bëra një të mirë, asgjë tjetër. Mendoj për fëmijët e mi” – ka thënë ai duke shpërthyer në lot. “Uroj të jetojnë fëmijët, Perëndia të jetë me ta, të zgjohen, të bëjnë jetën e tyre, është mëkat… njëri nga fëmijët ishte vetëm 12 vjeç”, ka thënë ai.

Pasi janë nxjerrë nga lumi, fëmijët janë dërguar pa ndjenja në spitalin e Artës ku mjekët kanë bërë përpjekje të mëdha për t’i mbajtur në jetë dhe të gjithë flasin për një mrekulli, pasi kishin qëndruar për minuta të tëra pa oksigjen. Më pas u vendos transferimi i tyre urgjent në spitalin universitar të Rios në Patra.

Analizat mjekësore treguan edemë të theksuar në tru dhe ujë në mushkëri tek njëri nga fëmijët, ndërkohë që u zbulua edhe një frakturë në qafë. Gjendja e tyre konsiderohet serioze.

Mësohet se njëri nga fëmijët është shqiptar dhe tjetri grek, përkatësisht me iniciale K. F. dhe S. K..

Top Channel