
Nga viti 2006 në 2026. Të fitohej Botërori njëzet vjet pas Kupës do të ishte përkimi më i mrekullueshëm.
Nga 2006-a në 2026-ën. Në futboll është një jetë e tërë; të gjithë bij të Marcello Lippit, më pas u rritën në një futboll që lëviz me një shpejtësi të panjohur për mjeshtrin. Fabio Cannavaro, Rino Gattuso dhe Daniele De Rossi – tre liderë të Berlinit, sot trajnerë. Të gjithë me profilin e duhur. Cannavaro, kapiteni i kampionëve dhe mbrojtësi i pakalueshëm; Gattuso, shpirti prej betoni të armuar; De Rossi, i riu i marrë nga Kombëtarja U21 me gjakftohtësinë e akullt në penalltinë e finales. Njëri prej tyre do të jetë pasuesi i Ranierit – më falni, Spallettit. Aktualisht Rino Gattuso është në avantazh, dhe orët e fundit duket se avantazhi është rritur. Në sfond mbetet Mancini – përveç nëse ka ndonjë përmbysje të re…
SKENARI – Ndjesitë që Gattuso është përpara të gjithëve janë në pritje të konfirmimit. Brenda 24 orëve presidenti Gravina do të zgjedhë se mbi kë do të mbështetet. Dje numri i kandidatëve u ngushtua në tre: Cannavaro, Gattuso dhe De Rossi. Prioritetet janë: personaliteti, idetë, situata kontraktuale. Ndërkohë, i zgjedhuri duhet të ketë karizëm, aftësi, CV, dhe imazh. Së dyti: koha është shumë e shkurtër – nuk ka kohë për poezi, por për prozë të fortë. Nuk do t’i kërkohet trajnerit të ri të mësojë futbollin, por të formojë një skuadër të tërbuar, agresive, me shpirt të kaltër brenda. Të kaltërit e qershorit u dukën të lodhur dhe mbi të gjitha të shteruar mendërisht dhe të pamotivuar. Dhe së fundi – por jo më pak i rëndësishëm – statusi: Gattuso është i lirë, Cannavaro është i lirë, De Rossi ka kontratë me Romën, por nuk është problem, sipas medias italiane.
Gattuso
Një “Ringhio” (pseudonimi i tij) për Kombëtaren. Te Gattuso pëlqehet karakteri luftarak – ai që mungoi te Italia e fundit, që s’kishte shumë teknikë dhe së paku do t’i duhej pak grintë. Rino nuk ishte një “numër 10”, por kombinonte forcën e tij fizike të jashtëzakonshme me një bujari në kufijtë e të pabesueshmes. Nga të tre, është ai që ka stërvitur klubet më të rëndësishme: Milanin, Napolin (me të cilin fitoi një Kupë Italie), Sevillën, Marsejën, dhe së fundi Hajdukun. Futbolli i skuadrave të tij është shumë më i studiuar sesa mendohet: te Napoli mori vendin e Ancelottit dhe dha shpirt dhe lojë, e quajtur “ringhismo”, një version më lojërash i “cholismo”-s së Simeones. Skuadra kompakte, agresive, me qarkullim të mirë të topit. 4-2-3-1 është sistemi më i fundit taktik i përdorur, por Gattuso ka luajtur edhe me 4-3-3 dhe me mbrojtje me tre. Për të, sistemi nuk është në vendin e parë. “Grinta dhe zemra janë ABC-ja e futbollit. Pa dëshirë, pa shpirt, nuk luhet dot,” thotë, duke shpjeguar se është bërë tjetër njeri pas eksperiencës në Spanjë: pressing, vertikalizime, më shumë teknikë.
Cannavaro
Diskutimi vlen shumë edhe për Cannavaron – ndoshta më shkencor në ndërtimin taktik të një skuadre. Nëse Gattuso është luftëtari, Cannavaro është kapiteni dhe simboli i Italisë kampione bote, ai që ngriti kupën. Sa i përket imazhit, edhe këtu s’ka asnjë problem. Fabio zemërohet pak kur i thonë që ka drejtuar vetëm Beneventon dhe Udinesen, duke nënvlerësuar eksperiencat e tij në Dubai, në një Arabi Saudite para kohës (me Al Nassr-in e sotëm të Piolit dhe Ronaldos), në Tianjin dhe Guangzhou në Kinë (ku u bë kampion), gjithashtu kombëtaren kineze, dhe së fundmi Dinamo Zagreb. Me Lippin kishte një marrëdhënie të privilegjuar – ishte ai që e deshi në Kinë – dhe prej tij mori elasticitetin. Sistemet taktike të preferuara janë 4-3-3 (ku shpesh nis me tre mbrapa) dhe 3-4-3. “Në futbollin tim nuk ka rëndësi posedimi i topit, por intensiteti. Siç flet Klopp: rock and roll, vertikal, përpara e prapa. Ju më mendoni si mbrojtës, por unë dua një futboll sulmues, agresiv. U shpjegoj lojtarëve: gjithmonë më mirë një vrap përpara sesa një mbrapa.”
De Rossi
Mbeti pa skuadër pas disa javësh, Roma preferoi Juricin: më pas, me Ranierin shkoi mirë, por De Rossi meritonte më shumë durim. Për të, Lippi theu rregullin e pashkruar që një lojtar i U21 të mbetej mes të rinjve – ishte shumë i fortë për të mos qenë me të mëdhenjtë. Thonë që është i paracaktuar për madhështinë. Ka qenë pjesë e stafit të Mancinit, dhe pas eksperiencës te Spali, erdhi Roma e tij – simbol verdhekuq pas Tottit. U pa që De Rossi nuk është një trajner i zakonshëm: ka alternuar sisteme të ndryshme, i preferuari është 4-2-3-1, por te Roma u pa edhe 3-4-2-1. Një nga çelësat ishin lëvizjet në krah dhe në zona që befasuan kundërshtarët – si në çerekfinalet e Europa League kundër Milanit. Shumëllojshmëri, karakter dhe karizëm. “Jam i ndikuar nga Spalletti, Luis Enrique dhe Conte, i fiksuar pas fitores. Do të doja vetëm që Roma, në fund të rrugëtimit tonë, të ishte e dallueshme për identitetin e lojës.”
Top Channel