
Murtaja e ruminantëve brenda një jave është zgjeruar në 3 zona të ndryshme, deri më tani ky infeksion i rrezikshëm ka prekur vetëm fermat me dhi.
Numri i kafshëve të asgjësuara ka shkuar në 500.
“Ne sot kemi tre vatra që janë konfiskuara nga laborator i referencës ISUV, në Postribë të Shkodrës, Kastriot të Dibrës, dhe nën Martanesh të Bulqizës. Të gjitha kafshët e këtyre fermave janë asgjësuar”, shprehet Sulejman Kullolli, drejtor i përgjithshëm AKVM.
Murtaja e të imtave, kjo sëmundje që vë në rrezik të gjithë blegtorinë shqiptare mund të marrë fund menjëherë dhe kostoja është zero, dhe kjo bëhet vetëm duke i dërguar një kërkesë për ndihmë FAO-s zyra e së cilës ndodhet vetëm pak metra larg Ministrisë së Bujqësisë.
“Ka zyra edhe brenda Shqipërisë që në bashkëpunim me qeverinë shqiptare të mbajnë nën kontroll infeksionin dhe unë dua të besoj që Ministria e Bujqësisë e ka bërë kërkesën tek zyra e FAO-s e cila ka një marrëveshje me institutin e referencës kundra murtajës së të imtave, i cili ka dhe vaksina. Të cilët mund të sjellin vaksinat dhe zinxhirin ftohës. Dhe ajo që kërkohet duhet të bëhet njëherë vaksinimi tampon, më pas vaksinimi total i bagëtive”, shprehet Edmond Panariti, ish-ministër Bujqësie.
Por në vend të kërkesës ministria e bujqësisë ka marrë të tjera masa parandalimi.
“Janë ngritur 44 grupe kontrolli dhe i bëjmë thirrje bashkive që të marrin të gjitha masat dhe të lajmërojnë nëse kjo sëmundje shfaqet me qellim që të parandalojmë infeksionin”, shton më tej Kullolli.
“Këto nuk janë të mjaftueshme, ki parasysh që bagëtia jonë shtegton dhe kjo nuk bëhet në rrugë nacionale. Dhe ky virus i rrezikshëm të përhapet në zonat e tjera.
Vaksinimi duhet të behët menjëherë edhe nëse FAO vonon të përgjigjet në kohë dhe kostoja e vaksinës që shfaros murtajën dhe mban të gjallë bagëtinë kushton tepër lirë”, thekson Panariti.
“Për të blerë 100 dozë vaksine bëjnë 3 euro, me 30 mijë euro, me 30 mijë euro nuk blen një grazhd në Tiranë ti mund të vaksinosh të gjithë tufën e Shqipërisë”, përfundon ish-ministri i Bujqësisë.
Ministria e Bujqësisë ka shpërndarë një tjetër urdhër ditën e sotme në të gjithë bashkitë e vendit ku ndalet tregtimi i bagëtisë së imët në tregjet e gjësë gjallë.
Top Channel