
Në Shqipëri, ka prej atyre aktivistëve që kanë ardhur nga vendet e tjera dhe kontribuojnë për kafshët në Shqipëri. Ne udhëtuam drejt qytetit të Vlorës, ku takuam disa prej tyre.
Angazhimi dhe përkushtimi i aktivistëve në qytetin bregdetar është i admirueshëm, pasi kujdesen për t’i trajtuar me paratë e tyre. Animalistët e Vlorës, jo vetëm shqiptarë, por dhe nga Italia apo Australia e largët, ndërmarrin dhe hapa konkretë, duke paditur abuzuesit në Prokurori.
I tillë është dhe rasti fatkeq i 8 majit, ku persona të panjohur kanë helmuar 7 këlyshë të vegjël, që trajtoheshin nga vullnetarët në Lungomare.
‘Ishin 7 këlyshë që ne kujdeseshim këtu në Lungomare. Ata lindën para 6 javësh në rrugë dhe të gjithë ne aktivistët e kafshëve koordinoheshim për t’i ushqyer, gjithashtu dhe njerëz të tjerë i ushqenin kur kalonin ngjitur. U kujdesëm që të vaksinoheshin, u dhamë atyre antiparazitë. Ishin të bukur dhe të padëmshëm. 12 orë përpara se kryeministri të vinte, ata ishin mirë. Mëngjesin tjetër nuk mund t’i gjeja askund dhe zbuluam se ata ishin helmuar dhe i gjetëm të vdekur’ u shpreh Sophie Melons, aktiviste nga Australia.
‘Me mikun tim Ticiano, vinim këtu në Lungomare dhe u jepnim për të ngrënë atyre 7 këlyshve të gjorë. Nuk paraqisnin asnjë rrezik për ata që kalonin aty. Ishin gëzimi, gëzimi i të gjithë atyre që kalonin në Lungomare’ u shpreh Endri Goxhaj, animalist.
Aktivistët nuk kanë qëndruar pasivë. Ata duan të gjejnë drejtësinë për këtë veprim jo njerëzor. Endri, një djalë i ri shumë i dhënë pas kafshëve, prej vitesh lufton me institucionet për të shmangur helmimet. Ai ka arritur të mbledhë pranë vetes thuajse të gjithë animalistët e qytetit dhe kanë ndarë zonat e kujdesit. Rastin e helmimit të 7 këlyshëve nuk e ka lënë të harrohet, por ka depozituar në Prokurorinë e Vlorës një padi.
Ky akt përbën veprën penale të vrasjes së kafshëve dhe keqtrajtimit të kafshëve. Në këto kushte i kërkojmë Prokurorisë që të fillojë menjëherë çështjen penale ndaj personave përgjegjës për kryerjen e veprave penale kundër kafshëve.
Kjo është pak nga ajo që shkruhet në padinë e depozituar. Endri shpjegon më shumë për rastin dhe arsyen e denoncimit. Sipas tij, kafshët nuk përbënin asnjë rrezik për njerëzit, pasi kishin kujdesin e nevojshëm të aktivistëve.
‘Kam depozituar një padi në Prokurorinë e Vlorës për helmimin e 7 këlyshve të datës 8 maj në qytet. Ishin qen të trajtuar nga aktivistët, vullnetarët, por dhe nga qytetarët. Nuk përbënin problem, rrezik, sepse ishin të vaksinuar dhe delhemetizuar’ u shpreh Endri Goxhaj, animalist.
‘E lajmëruam rastin në Bashki, ku erdhën dhe bënë një inspektim të vogël, dhe dje kam depozituar të gjitha materialet në Prokurori të helmimit. Do të doja shumë që policia dhe autoritetet të marrin masa dhe t’i gjejnë autorët. Do të ishte më e lehtë edhe për ne aktivistët se kush i helmoi qentë e datës 8 maj’ u shpreh Endri Goxhaj, animalist.
Top Channel