Inside Story/ Nga asgjesimet brutale te rreziku nga infeksionet, vetëm 4 bashki kanë strehëza për kafshët endacakë

11/06/2025 21:41

Nisur nga një nevojë e tillë, udhëzimet që vinin nga Europa adresonin problemin fillestar për mungesën e strehëzave të Bashkive për qentë endacakë. Deri në momentin e publikimit të këtij dokumentari, bëhet me dije se janë vetëm 4 bashki që kanë qendra për strehimin e qenve endacakë.

Konkretisht, Tirana, Shkodra, Elbasani dhe Pogradeci. Në momentin që lafshët kapen, sterilizohen. Nëse janë agresivë, ose shfaqin sëmundje, mbahen në strehëz, përndryshe i lirojnë në lagjet se ku janë kapur.

Ne pamë nga afër situatën në qytetin e Shkodrës. Fillimisht, Bashkia ka ndërtuar qendrën e parë e cila është në beton dhe mban rreth 100 qenë. Më pas ka ndërtuar qendrën e dytë ngjitur me të parën, pranë pyllit, po me të njëjtin kapacitet.

Diferenca është shumë e dukshme. Strehëza e dytë është ndërtuar në natyrë duke ndikuar për mirë te gjendja e qenve. Kafshët, në kushtet e habitatit natyror, janë shumë më të qetë. Për dallim, kafshët që rrinin në beton ishin shumë më agresive.

Sokoli, drejtuesi i këtij sektori në Bashkinë e Shkodrës, na jep detaje për qendrat, por tregon dhe planin që ka ky institucion vendor në lidhje me ndërtimin e një qendre tjetër po në të njëjtin vend.

‘Aktualisht bashkia ka 2 streha për trajtimin e qenve endacakë. Kemi projekt për ndërtimin e një strehe të tretë, për krijimin e një qendre multifunksionale për trajtimin e kafshëve, klinikën, adoptimin dhe një kapacitet prej 100 të tjerësh për strehën përveç këtyre që kemi deri më tani’ u shpreh Sokol Malaj, Drejtor/Bashkia Shkodër

Nëse e marrim të mirëqenë fjalën e Sokolit, Bashkia Shkodër do të ketë në dispozicion 300 vende për qentë endacakë, praktikisht një numër i konsiderueshëm që mund të zgjidhë shumë problemin e grumbullimeve në rrugë.

‘Pjesa më e madhe e tyre janë qenë endacakë që janë kapur në zona të ndryshme të qytetit, por dhe në periferi. Kemi raste qensh që shfaqin sjellje agresive dhe kemi raste të qenve të sëmurë. Është proces që vazhdon me kapjen, sterilizmin, mikrocipimin e tyre dhe ata që janë paqësor më pas lëshohen në qytet. Të tjerët që shfaqin agresivitet mbahen në strehë’ u shpreh Sokol Malaj, Drejtor/Bashkia Shkodër

‘Streha tjetër do të ketë modelin e strehëzës së dytë. Qentë do të qëndrojnë në natyrë siç janë këtu, ndërsa strehëza që kemi me beton do të mundohemi ta kthejmë në karantinë për prurjet e reja, në raste sëmundjesh, ose në nevoja të qëndrimit pas operacioneve’ u shpreh Sokol Malaj, Drejtor/Bashkia Shkodër

Por, sa është kostoja ditore që ka bashkia e Shkodrës në lidhje me menaxhimin e qenve endacakë?

‘Kostoja ditore e një qeni në strehën e Shkodrës është rreth 60 lekë të reja. Deri në këto momente është e gjitha që mbulohet me projektin e bashkisë, përveç ndihmave që mund të japin donatorë privatë’ u shpreh Sokol Malaj, Drejtor/Bashkia Shkodër

Bashkisë Shkodër, një investim i tillë i kushton në vit 61 milionë lekë të vjetra. Buxheti i 2025 llogaritet të trajtojë 510 qenë, nga të cilët 200 në strehëza, ndërsa 310 në gjendje të lirë.

Situata është përmirësuar, por pavarësisht kësaj ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare dhe diçka e tillë pranohet dhe nga zyrtarët e Bashkisë Shkodër.

‘Ka qenë endacakë në qytet, por ka përmirësime që prej kohës që ne kemi marrë detyrën në prill. Situata është goxha më e përmirësuar, e matur kjo me numrin e qenve që janë në qytet, por dhe me kafshimet që raportohen nga njerëzit’ u shpreh Sokol Malaj, Drejtor/Bashkia Shkodër

Një ndër sfidat më të mëdha të Bashkisë është ndryshimi i mentalitetit të njerëzve, pasi braktisja mbetet problem madhor ende, po ashtu dhe lëvizjet e qenve endacakë nga një zonë në një zonë tjetër.

‘Për shkak të mentalitetit, pasi jo të gjithë duan t’i sterilizojnë dhe i lënë këlyshët në qytet. Probleme janë më pas dhe këto lëvizjet nga një zonë në një zonë tjetër’ u shpreh Sokol Malaj, Drejtor/Bashkia Shkodër.

Top Channel