
Në Shqipëri, janë rikthyer së fundi helmimet masive ndaj kafshëve. Ato janë të koordinuara nga institucionet në tentativë për të pastruar qytetet e tyre, por, kjo nuk është as humane dhe as ekologjike.
Shpesh, nuk dihet se ku hidhen trupat e kafshëve që shpesh bëhen burim infeksionesh.
Kësaj panorame, i shtohen edhe individë të papërgjegjshëm qe zgjedhin mënyrën më të gabuar për të goditur qentë endacakë.
Protesta e animalistëve shqiptarë nisi në Akademinë e Arteve, për të vijuar më tej me disa ndalesa të institucioneve shtetërore, si Kryeministria, Bashkia e Tiranës apo Ministria e Drejtësisë.
Motivi i kësaj proteste ishte një video e shpërndarë në rrjetet sociale ku dy të mitur keqtrajtonin një qen. Videoja ishte bërë nga ata dhe ishte hedhur në rrjetet sociale duke ngjallur reagimin e fortë të animalistëve dhe shoqatave të kafshëve.
Gjithçka që shfaqet në video është përtej njerëzores. Të miturit e hedhin qenin në ujë dhe më pas e dhunojnë. E torturojnë derisa i marrin jetën. Djaloshi me thikë i çan barkun, ndërsa djaloshi tjetër e inkurajon duke bërë video.
Në fakt, pjesë e këtyre momenteve të publikuara në media, nuk është viktimë vetëm qeni, por dhe të miturit. Ata të ndikuar dhe nga dëshira për të qenë viral në rrjetet sociale, kalojnë çdo limit. Natyrshëm, këtu ngrihet pyetja: a kanë shkuar edhe në shkollë, në lagje e kudo me atë thikë këta fëmijë…? Tragjeditë e krimeve mes të miturve, nuk i kanë shuar ende dhimbjet e ngjarjeve të fundit në vend.
Këto imazhe që bënë xhiron e rrjetit sollën dhe protestën dhe reagimin e drejtë të shoqërisë sonë. Një nga aktivistet e huaja që jeton në Shqipëri prej 3 vitesh beson se duhet të merren masa të shpejta për të ndikuar në përmirësimin e situatës së qenve endacakë në vendin tonë.
‘Kam 3 vite që punoj dhe jetoj në Shqipëri. Situata me qentë endacakë nuk është më e mira e mundshme. Janë bërë disa përmirësime, por duhet të punojmë fort që të zgjidhim krejtësisht këtë problematikë’ u shpreh aktivistja e huaj.
E ndërsa kjo zonjë ndalet te nevoja e ndërgjegjësimit të shoqërisë, kolegia e saj nga Shqipëria beson se duhet të ndryshojë ligji dhe të ndëshkohen të gjithë personat që dhunojnë kafshët.
‘Po ndodhin shumë probleme me helmimin dhe keqtrajtimin e kafshëve. Kjo duhet të ndalë një orë e më parë. Po si mund të ndryshojë kjo? Zbatueshmëria e ligjeve. Ne i kemi ligjet, por nuk i marrin seriozisht dhe nuk i zbatojnë. Duhet ti respektojmë’ u shpreh aktivistja
Në fakt, ekziston një ligj në lidhje me keqtrajtimin e kafshëve. Në fletoren zyrtare të ligjeve, si nënfraksion i nenit 207, është shtuar dhe dënueshmëria e personave që torturojnë kafshët si pikë “c”.
Top Channel