
Futbollisti i Udineses, Maduka Okoye, përballet me një të ardhme të pasigurt pas përfundimit të hetimeve paraprake nga Policia e Shtetit në koordinim me Zyrën e Prokurorit të Udines.
Portieri nigerian është mes katër personave të dyshuar për përfshirje në një mashtrim në konkurrencë, në dëm të kompanisë së basteve Snaitech.
Rasti lidhet me ndeshjen Lazio-Udinese, e zhvilluar më 11 mars 2024 në Romë. Gjatë kësaj sfide u shënuan flukse të pazakonta bastesh, të fokusuara tek ndëshkimi me karton i portierit – një bast i ofruar me kuotë tetë herë më të lartë se shuma e vendosur. Ky ndëshkim ndodhi pikërisht në minutën e 63-të, për humbje kohe, duke përforcuar dyshimet për një skenar të qëllimshëm. Bastet, të vendosura kryesisht në provincën e Udines, sollën fitime që kapën shifrën e mbi 120 mijë eurove.
Hetimet janë kryer nga disa struktura të specializuara, përfshirë Skuadrën Fluturuese të Udines, Policinë Qendrore të Lojërave të Fatit, Shërbimin Qendror të Operacioneve dhe SISCO të Triestes. Sipas autoriteteve, ekziston një dyshim i fortë për një marrëveshje mes Okoye dhe të paktën një individi që ka vendosur bastet fituese.
Në frontin sportiv, prokurori federal Giuseppe Chinè do të shqyrtojë nëse rasti përmbush kriteret për sjellje të keqe sportive, sipas nenit 30 të Kodit të Drejtësisë Sportive. Nëse fajësia e tij provohet, Okoye rrezikon deri në 4 vite pezullim nga aktivitetet sportive dhe një gjobë minimale prej 50 mijë eurosh.
Gjithashtu, hetuesit do të analizojnë nëse ndonjë nga shokët e ekipit të portierit ishte në dijeni të marrëveshjes së dyshuar, çka mund të sjellë skualifikime të tjera prej të paktën një viti. Po ashtu, do të shqyrtohet nëse episode të ngjashme kanë ndodhur edhe në ndeshje të tjera.
Çështja mbetet e hapur dhe pritet të zhvillohet më tej në ditët dhe javët në vijim.
Top Channel