Gjatë vizitës që kryeministri në detyrë, Albin Kurti pati në Skënderaj këtë të mërkurë, eskorta e tij është sulmuar me vezë.

Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Hysni Mehani bën përgjegjës Partinë Demokratike të Kosovës.

“Sulmet e Sami Lushtakut me vezë janë dëshmi që ju ka lagë baruti, po ashtu dëshmi e mendësisë primitive që udhëheq me PDK në Skënderaj e fatkeqësisht krejt PDK-në”, ka shkruar Mehani.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar pasdite se ka suspenduar për 72 orë tre zyrtarë policor lidhur me “prishjen e rendit dhe qetësisë publike” ndaj eskortës së Kurtit në Skënderaj.

“Hetimet e mëtejme ndaj zyrtarëve policor për shkelje të mundshme do të zhvillohen nga institucionet përkatëse kompetente”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në përurimin e një çerdheje, paraditen e së martës në komunën e Skënderajt.

Top Channel