
Mijëra qytetarë kanë dalë mbrëmjen e së hënës në rrugët e Athinës dhe Selanikut për të protestuar kundër ndërhyrjes së ushtrisë izraelite ndaj anijes Madleen dhe aktivistëve që ndodheshin në bordin e saj me qëllim dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
Në Athinë, protestuesit u mblodhën në lagjen Panormu dhe më pas marshuan drejt ambasadës së Izraelit, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të ekuipazhit, thyerjen e bllokadës në Gaza dhe fundin e “gjenocidit ndaj popullit palestinez”.
Parulla “Liri për Palestinën” mbizotëronte në pankartat dhe thirrjet e protestuesve.
Prania e policisë ishte dinamike dhe forca të shumta kishin rrethuar ambasadën me autobusët e blinduar të forcave të rendit. Thuajse shumica e partive opozitare greke kanë dënuar me deklarata sulmin ushtarak të forcave izraelite ndaj një anijeje civile dhe ekuipazhit të saj të paarmatosur dhe kërkojnë ndërhyrjen e organeve të BE.
Zoi Konstantopoulou, lidere e partisë politike “Lundrimi i Lirisë’.
U bëj apel të gjitha qeverive, të gjitha qeverive të Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit, të ndërmarrin veprime për të mbrojtur popullin palestinez që po përjeton një gjenocid, për të mbrojtur aktivistët tanë dhe për të mbrojtur njerëzimin.”
Në përfundim të protestës disa persona të grupeve anarkiste kanë hedhur bomba molotof ndaj disa policëve të trafikut rrugor dhe më pas janë shkaktuar tensione.
Atmosferë e tensionuar ka qenë edhe në Selanik në një protestë të ngjashme nga qindra grekë të mobilizuar nga nisma greke March to Gaza dhe aktivistë e organizata, si Komuniteti Palestinez në Greqi.
Në disa media greke sot zë një vend të veçantë parulla që mbante në duar një protestuese dje ku shkruhej se Izraeli mund të ndalojë një varkë të vogël që transporton ndihma humanitare, por nuk mund të ndalojë presionin e një lëvizjeje globale.
Top Channel