
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, prezantoi sot, së bashku me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, propozimin e Komisionit për paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë, që synojnë sektorët e saj të energjisë dhe atw financiar.
Presidentja e Komisionit përsëriti thirrjen e BE-së që Moska të kërkojë një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar prej të paktën 30 ditësh në Ukrainë.
“Mesazhi ynë është shumë i qartë: Kjo luftë duhet të përfundojë. Nevojitet një armëpushim i vërtetë dhe Rusia duhet të ulet në tryezën e negociatave me një ofertë serioze”, tha ajo.
“Ne duam paqe për Ukrainën, por pavarësisht javësh përpjekjesh diplomatike, pavarësisht propozimit të presidentit ukrainas, Zelensky për një armëpushim të pakushtëzuar, Rusia vazhdon të sjellë vdekje dhe shkatërrim në Ukrainë”, theksoi von der Leyen, duke vënë në dukje se Rusia nuk dëshiron paqe, por të imponojë ligjin e forcës. Prandaj, BE-ja do të rrisë presionin sepse “forca është e vetmja gjuhë që Rusia e kupton”, tha ajo.
Në veçanti, në sektorin e energjisë, Komisioni po propozon për herë të parë të fillojë një ndalim të tregtisë për tubacionet NorthStream I dhe II.
“Asnjë operator i BE-së nuk do të jetë në gjendje të përfshihet drejtpërdrejt ose tërthorazi në ndonjë transaksion që lidhet me tubacionet NorthStream”, tha von der Leyen.
Përveç kësaj, Komisioni po propozon të ulë çmimin maksimal për naftën ruse nga 60 dollarë në 45 dollarë për fuçi, një çështje që von der Leyen tha se do të diskutohej në Samitin e G7 në Kanada në fund të javës.
Përveç kësaj, Komisioni propozon të shtojë në listën e 342 cisternave edhe 77 cisterna shtesë që i përkasin të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, të cilat e ndihmojnë atë të anashkalojë sanksionet perëndimore.
Ai gjithashtu propozon të ndalojë importin e produkteve të rafinuara të bazuara në naftën bruto ruse “për të parandaluar që një pjesë e naftës bruto ruse të hyjë në tregun e BE-së përmes derës së pasme”.
Në sektorin bankar, qëllimi i BE-së është të kufizojë aftësinë e Rusisë për të mbledhur fonde dhe për të kryer transaksione. Komisioni propozon të shndërrojë ndalimin ekzistues për përdorimin e sistemit SWIFT në një ndalim të plotë transaksionesh dhe ta zbatojë atë në 22 banka të tjera ruse.
Përveç kësaj, Komisioni propozon të zgjerojë ndalimin e transaksioneve për institucionet financiare në vendet e treta që financojnë tregtinë me Rusinë duke anashkaluar sanksionet. Von der Leyen gjithashtu propozon vendosjen e sanksioneve për Fondin Rus të Investimeve Direkte, degët e tij dhe projektet e tij të investimeve.
“Kjo do të kufizojë një kanal të rëndësishëm për financimin e projekteve për modernizimin e ekonomisë ruse dhe forcimin e bazës së saj industriale”, tha von der Leyen.
Së fundmi, Komisioni po propozon ndalime të mëtejshme të eksportit me vlerë më shumë se 2.5 miliardë euro.
“Ky ndalim do ta privojë ekonominë ruse nga teknologjia kritike dhe mallrat industriale”, tha von der Leyen, duke vënë në dukje se objektivi janë makineritë, metalet, plastikat dhe kimikatet.
Eksporti i mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë të përdorura për të prodhuar dronë, raketa dhe sisteme të tjera armësh do të kufizohet gjithashtu, për të siguruar që Rusia të mos gjejë mënyra për të modernizuar armët e saj me teknologji evropiane.
Në përfundim, von der Leyen tha se ” BE do që sanksionet të zbatohen dhe respektohen më mirë”, prandaj Komisioni po propozon të zgjerojë fushëveprimin e ndalimit tregtar që tashmë ekziston në 22 kompani ruse dhe të huaja që ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë.
“Aftësia e Putinit për të vazhduar luftën varet në një masë të madhe nga mbështetja që ai merr nga vendet e treta. Ata që mbështesin luftën e Rusisë dhe përpjekjen e saj për të pushtuar Ukrainën mbajnë një përgjegjësi të madhe”, tha von der Leyen.
Top Channel