
Administrata Trump do të eliminojë të gjitha pozicionet e USAID jashtë vendit deri më 30 shtator, si pjesë e një ristrukturimi të programeve të mbetura të ndihmës së huaj të Shteteve të Bashkuara.
Në një dokument të Departamentit të Shtetit të siguruar nga The Guardian të martën, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, urdhëroi eliminimin e të gjithë stafit ndërkombëtar të agjencisë, duke transferuar kontrollin e programeve të ndihmës së huaj direkt në Departamentin e Shtetit.
Direktiva prek mijëra punonjës të USAID në të gjithë botën, duke përfshirë punonjës të shërbimit të huaj, kontraktorë dhe staf vendas në më shumë se 100 vende. Shefat e Misioneve në ambasadat e SHBA-së janë udhëzuar të përgatiten për ndryshimet rrënjësore që do të hyjnë në fuqi brenda katër muajsh.
“Departamenti i Shtetit po përmirëson procedurat sipas Direktivës 38 të Sigurisë Kombëtare për të eliminuar të gjitha pozicionet e USAID jashtë vendit”, shkruhej në dokument, duke shtuar se do të marrë përgjegjësinë për programet e ndihmës së huaj të drejtuara më parë nga USAID duke filluar nga 15 qershori.
Vendimi për mbylljen e agjencisë vjen pasi administrata Trump eliminoi 83% të programeve të USAID-it – si pjesë e të ashtuquajturit “Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë” (DOGE), në një “spastrim” që zgjati gjashtë javë pasi Donald Trump mori detyrën.
Rubio njoftoi në mars se 5,200 nga 6,200 programet e agjencisë në të gjithë botën ishin mbyllur, ndërsa pjesa tjetër u mor nën kontroll nga Departamenti i Shtetit.
Shuarjet erdhën pasi Trump lëshoi një urdhër në ditën e tij të parë të kthimit në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, duke ngrirë ndihmën e huaj në pritje të një shqyrtimi.
Top Channel