
Cristian Chivu është emëruar zyrtarisht trajneri i ri i Interit, duke marrë drejtimin e skuadrës një javë pas largimit të Simone Inzaghit, i cili mbylli një cikël katërvjeçar në krye të zikaltërve.
Ish-mbrojtësi rumun ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin nga Milano, e vlefshme deri në fund të sezonit 2026-27, dhe do të ketë për detyrë të vijojë sukseset e Interit në skenën italiane dhe europiane.
Chivu vjen në këtë detyrë pas një eksperience të shkurtër, por të suksesshme, në pankinën e Parmës, të cilën e udhëhoqi drejt mbijetesës në Serie A në javën e fundit të sezonit 2024-25. Parma ka konfirmuar zyrtarisht largimin e tij, ndërsa tekniku 44-vjeçar i ka dhënë lamtumirën klubit emilian.
Për Chivun, ky është një rikthim në shtëpinë e vjetër. Ai e mbylli karrierën si lojtar në radhët e Interit dhe e nisi rrugëtimin si trajner pikërisht aty, duke udhëhequr ekipet zinxhir të klubit — nga U14 deri te skuadra Primavera — në periudhën 2018–2024. Pas aventurës në Parma, ai rikthehet në San Siro, kësaj here në krye të ekipit të parë.
Ky emërim shënon një hap të rëndësishëm për projektin e Interit, që beson te vazhdimësia dhe identiteti, duke i besuar një emri që njeh mirë klubin dhe filozofinë e tij.
Top Channel