
Konflikti në rritje mes Presidentit Donald Trump dhe miliarderit Elon Musk ka hyrë në një fazë të tensionuar dhe të paqartë, pas një përplasjeje të ashpër në rrjetet sociale dhe pas një telefonate “qetësuese” mes përfaqësuesve të të dyja palëve, sipas dy zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Burimet konfirmojnë se presidenti ka ndaluar postimet kundër Musk në rrjetet sociale, por kjo nuk nënkupton pajtim.
“Ai ka ndaluar së postuari, por kjo nuk do të thotë se është i lumtur,” tha një zyrtar i lartë, duke shtuar se e ardhmja e marrëdhënies së tyre mbetet krejtësisht e pasigurt.
Tensioni shpërtheu javën e kaluar pasi Musk sugjeroi në platformën X (ish-Twitter) se Trump ishte përfshirë në “dosjet e Epstein”, një koment që tronditi Shtëpinë e Bardhë dhe shkaktoi zemërim personal nga presidenti. Edhe pse Trump nuk është akuzuar për ndonjë shkelje lidhur me çështjen Epstein, aludimi i Musk u pa si një goditje personale dhe politike.
Musk më tej e quajti Trump “mosmirënjohës”, duke pretenduar se mbështetja e tij financiare — përfshirë kontribute prej mbi 250 milionë dollarësh në fushatën e tij — ishte vendimtare për fitoren në nëntor.
Në prapaskenë, burime pranë administratës konfirmojnë se përplasjet kanë qenë të shpeshta, duke përfshirë një incident të marsit, kur Musk refuzoi të bashkëpunonte me drejtorin e personelit Sergio Gor, pas një debati mbi autoritetin në kabinet.
Top Channel