Nicole Scherzinger fiton çmimin e parë Tony, këngëtarja: Falënderoj Zotin që më mbështet në çdo hap, lavdia i takon vetëm atij

09/06/2025 22:08

Nicole Scherzinger fitoi çmimin e saj të parë Tony për debutimin e saj në Broadway.

Këngëtarja 47-vjeçare fitoi çmimin për Performancën më të mirë nga një ktore në një Muzikal për performancën e saj si Norma Desmond në shfaqjen “Sunset Boulevard”.

Çmimi pasoi performancën e saj të këngës “As If We Never Said Goodbye”, e cila mori duartrokitje nga publiku, në Radio City Music Hall në New York të dielën, më 8 qershor.

E paaftë të mbante lotët ndërsa pranonte çmimin, Scherzinger tha: “Dua vetëm ta falënderoj Zotin që më mbështet në çdo hap të rrugës. Ty të takon gjithë lavdia.”

Ish-këngëtarja e Pussycat Dolls falënderoi ngrohtësisht çmimet Tony “për realizimin e ëndrrës së një vajze nga Hawaii, Ukraina dhe Filipinet” dhe foli emocionalisht për nënën e saj, e cila e lindi në moshën 18 vjeç dhe “sakrifikoi gjithçka” për ta rritur.

Më pas ajo iu drejtua të fejuarit të saj, ish-lojtarit të regbit Tom Evans, 40 vjeç, duke thënë: “Ai beson tek unë kur unë harroj të besoj tek vetja.”

Scherzinger falënderoi gjithashtu kompozitorin e shfaqjes, Andrew Lloyd Webber, duke thënë se ishte një “nder” të punonte me të. Ajo e përfundoi fjalimin e saj me lot në sy, duke shpjeguar se sa i rëndësishëm kishte qenë roli i saj në këtë ringjallje të veçantë të muzikalit për të. “Duke u rritur, gjithmonë kam ndjerë sikur nuk i përkas askujt, por ju më bëtë të ndihesha ashtu. Ndihem sikur më në fund jam kthyer në shtëpi. Për këdo që ndihet sikur nuk i përket ose se koha e tij nuk ka ardhur ende: mos u dorëzoni. Vazhdoni të jepni dhe vazhdoni të ofroni, sepse bota ka nevojë për dashurinë dhe dritën tuaj më shumë se kurrë. Kjo është provë se dashuria gjithmonë fiton.”

Nicole Scherzinger solli qasjen e re regjisoriale të Jamie Lloyd në “Sunset Boulevard” nga Londra në Nju Jork në tetor 2024. Në muzikal luan një yll filmi që ka rënë në dashuri me një skenarist të ri në Hollywoodin e fundviteve 1940. Historia bazohet në filmin me të njëjtin emër, fitues i çmimit Oscar në vitin 1950.

Top Channel