
Nga Prof. Dr. Belina Budini
Ndërsa dezinformimi vijon të përhapet, raportimi i mbështetur në të dhëna mund të shërbejë si busull për një narrativë më të vërtetë në lidhje me destinacionin europian të Shqipërisë
Përpara disa javësh, përballë një audience të zgjedhur në Fakultetin e Arteve dhe të Shkencave në Universitetin e Harvardit, pata mundësinë të ndaj një temë që për mua është thellësisht e njohur si studiuese shqiptare, por që mbetet në mënyrë befasuese e padukshme për publikun e huaj: narrativën e qëndrueshme që formëson imazhin e Shqipërisë në optikën e mediave ndërkombëtare. Kjo nuk ka të bëjë me realitetin e brendshëm, por me mënyrën si ai paraqitet në gazetarinë e sotme ndërkombëtare.
Si kërkuese dhe autore që prej më shumë se një dekade hulumtoj mënyrën se si mediat ndërkombëtare e portretizojnë Shqipërinë, shpesh ndodhem mes dy realiteteve: Shqipërisë komplekse dhe në zhvillim, ku jetoj e punoj, dhe asaj që lexoj në titujt e mediave globale, që duket çuditërisht statike. Kjo shkëputje mes perceptimit dhe realitetit, mes rrëfimit dhe nuancës, më shtyu, së bashku me një grup studiuesish, studentësh dhe gazetarësh, të shqyrtoj se si po rrëfehet rrugëtimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, brenda dhe jashtë vendit.
Prej gati një shekulli, Shqipëria është përshkruar në mediat ndërkombëtare si një kuriozitet gjeopolitik, një periferi e trazuar, një anomali kokëfortë. Qoftë nën monarki, diktaturë komuniste apo demokraci të brishtë, vendi shpesh është përkufizuar si “i trazuar” apo “i harruar”. Këto terma formojnë një fjalor që mbijeton në dekada, epoka historike dhe redaksi të ndryshme mediash.
Kërkimi që prezantova në Harvard, pjesë e një studimi më të gjerë, përfshin analizë përmbajtjeje dhe diskursi të arkivave të TIME dhe The Economist, dhe tregon një vazhdimësi befasuese në mënyrën si Shqipëria perceptohet dhe përshkruhet. Nga sundimi i Mbretit Zog te regjimi stalinist i Enver Hoxhës, nga rënia e komunizmit e deri te demokracia e sotme, narrativa nuk ndryshon në mënyrë thelbësore, përkundrazi, riciklohet, duke rimarrë tema si ekzotizmi dhe prapambetja, trazirat dhe çudirat.
Kur mediat ndërkombëtare shkruajnë për Shqipërinë, toni shpesh tingëllon si një déjà vu: një vend i vogël dhe misterioz ballkanik, i shënjuar nga fatkeqësitë, korrupsioni apo trazirat – e njëjta histori. Ndërkohë, rrëfimi tjetër – ai i Shqipërisë që përpiqet të përputhet me standardet europiane – rrallë e gjen vendin në titujt ndërkombëtarë.
Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian ka qenë e gjatë, e ndërlikuar dhe e pabarabartë. Dhe ndërsa politikanët dominojnë titujt, një forcë tjetër ka ndikuar në këtë rrugëtim në mënyrë më të heshtur: gazetaria.
Projekti kërkimor Nga Izolimi drejt Integrimit: Portretizimet Mediatike të Shqipërisë drejt BE-së të Informuara nga të Dhënat, nisi me një pyetje të thjeshtë: si ndikojnë përshkrimet mediatike të Shqipërisë në procesin e saj të integrimit europian? Ajo që nisi si një analizë e thjeshtë ligjërimore, u kthye shpejt në një kërkim më kompleks: një hetim mbi identitetin kombëtar, narrativat historike dhe transformimin digjital të vetë gazetarisë.
Integrimi europian për Shqipërinë nuk është thjesht proces politik apo burokratik, por edhe çështje e imazhit e reputacionit historik të vendit: simbolikisht shënon kthimin drejt një kontinenti nga i cili ka qenë e përjashtuar, si në kuptimin literal, ashtu edhe në atë metaforik. Gjatë hulumtimit shkencor, jemi përpjekur të zbërthejmë se si mediat, kombëtare dhe ndërkombëtare, e rrëfejnë këtë proces dhe si këto rrëfime ndikojnë në perceptimin publik, formulimin e politikave dhe reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Një ekip ndërdisiplinor studiuesish dhe studentësh në Universitetin Europian të Tiranës janë marrë me analizimin e mediave audiovizive kombëtare, si edhe me publikimet ndërkombëtare, si dhe përmbajtjen digjitale të artikujve për Shqipërinë. Nuk jemi mjaftuar me titujt, pasi kemi shqyrtuar gjuhën, tonin, kornizat narrative dhe reagimin e audiencës.
Ajo që gjetëm ishte një histori komplekse dhe shpesh kontradiktore.
Mbulimi ndërkombëtar, edhe pse sporadik, mbetet i njëtrajtshëm, në kontrast me ligjërimin mediatik brenda Shqipërisë, i cili është më dinamik edhe pse shpesh në paralelizëm politik me narrativën e qeverisë. Analiza e përmbajtjes tregoi se ndërsa shtypi ndërkombëtar e thjeshtëzon Shqipërinë në korniza të lehta e stereotipe, media kombëtare priret të jetë më positive, megjithëse ende e pozicionuar në linja politike.
Ajo që mungon në të dy llojet e narrativave është hulumtimi i bazuar në të dhëna dhe kontekstualizimi i tyre. Pak gazetarë marrin kohën të shpjegojnë se çfarë nënkupton realisht integrimi në BE për një vend si Shqipëria. Po ashtu, edhe më të pakta janë mediat që përpiqen të analizojnë se si dekadat e diktaturës, izolimit dhe traumës vazhdojnë të ndikojnë në jetën publike. Ka pak hapësirë për pasqyrimin e historive njerëzore apo analizave të bazuara në “Data Journalism” ose gazetarinë e të dhënave.
Gazetaria e bazuar në të dhëna do të shërbente si një lloj busulle orientuese. Megjithëse ajo nuk e dikton udhëtimin, mund të ndikojë në drejtimin e tij. Ajo përcakton tonin emocional: shpresë apo lodhje, agjenci apo apati? Dhe ndoshta më e rëndësishmja, ajo përcakton nëse shqiptarët shihen si pjesëmarrës të barabartë në historinë europiane apo si të huaj të përhershëm në pritje.
Prej shumë kohësh, Shqipëria është përkufizuar nga të tjerët: nga perandori, ideologji dhe stereotipe. Gazetaria, në formën e saj më të mirë, mund të ndihmojë ta rimarrë këtë rrëfim. Por ajo duhet të bëjë më shumë sesa të informojë, duhet të shpjegojë, të kontekstualizojë, të përditësojë narrativën e saj. Duhet t’i japë zë Shqipërisë përmes të dhënave, rrëfimeve, historive të treguara prej asaj vetë.
Kjo nuk është vetëm një sfidë e vendeve ballkanike, është një sfidë e të gjitha shoqërive dhe vendeve në zhvillim si Shqipëria.
Projekti ynë kërkimor, i mbështetur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe programi READ për Ekspertizën Kërkimore nga Diaspora Shqiptare, ndërthur narrativat mediatike me mjetet e gazetarisë së të dhënave që ofrojnë të dhëna të hapura për gazetarë dhe studiues. Gazetaria e informuar nga të dhënat është thelbësore, sidomos në një rajon ku media tradicionale përballet me paqëndrueshmëri financiare dhe presion politik. Pa të, debati publik bëhet reaktiv dhe i bazuar në thashetheme. Me të, mund të fillojmë ndërtimin e një kulture mediatike të mbështetur në prova, transparencë dhe përgjegjësi.
Puna jonë është gjithashtu pjesë e një nisme kombëtare për standardet dhe inovacionin mediatik, e mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit dhe Inovacionit (AKKSHI), si dhe nga Programi Jean Monnet për Promovimin e Standardeve të Gazetarisë në Shqipëri në Universitetin Evropian të Tiranës, që synon përafrimin e praktikave lokale mediatike me standardet e BE-së dhe vlerat demokratike.
Nga hulumtimi i narrativave të mediave të huaja, kemi identifikuar gjithashtu nevojën për më shumë nuancë në gazetarinë ndërkombëtare. Mbulimi i Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi duhet të shkojë përtej stereotipeve reduktuese dhe narrativave të vjetra që e paraqesin rajonin vetëm përmes prizmit të paqëndrueshmërisë apo margjinalizimit. Përkundrazi, raportimi duhet të pasqyrojë kompleksitetin e plotë të trashëgimisë historike të rajonit dhe përparimin gradual që po ndodh në terren. Për të arritur këtë, mund të shërbejë pikërisht gazetaria e bazuar në të dhëna dhe histori njerëzore, e cila mund të ofrojnë një perspektivë më të saktë dhe të bazuar në prova, duke tejkaluar narrativat e thjeshtuara dhe duke u dhënë kuptim më të qartë realiteteve rajonale dhe Shqipërisë.
Për këtë arsye, gazetaria mbetet ende e rëndësishme. Ajo mbetet busulla orientuese në mesin e ndryshimeve të shpejta globale që kanë përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në rastin e Shqipërisë, ajo mund të përcaktojë nëse ky udhëtim i gjatë drejt Evropës do të përfundojë tek dera, apo do ta shtyjë përfundimisht brenda.
Top Channel