Cristian Chivu i jep lamtumirën Parmës, gati prezantimi te Interi/ Bashkë me të vjen dhe një ish i zikaltërve

09/06/2025 14:40

Sot është dita e rikthimit të Cristian Chivut te Interi. Trajneri rumun është gati të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me klubin zikaltër, me njoftimin zyrtar që pritet të jepet në çdo moment.

Në mëngjes, ish-mbrojtësi zgjidhi detajet burokratike dhe u lirua nga Parma, duke hapur rrugën për rikthimin në Milano.

Chivu pritet të mbërrijë në Appiano Gentile për të zhvilluar seancën e parë stërvitore pasdite, ndërsa stafi i tij po merr formë për të nisur punën në drejtimin e Nerazzurrëve.

Stafi i Interit në Appiano Gentile

Në qendrën stërvitore kanë mbërritur edhe drejtues të lartë të Interit, përfshirë Marottan, Zanettin dhe Baccin, që po përgatisin njoftimin zyrtar për trajnerin e ri. Së bashku me Chivun ka ardhur edhe Angelo Palombo, i cili do të jetë bashkëpunëtori i tij në stafin teknik.

Walter Samuel në staf?

Ndërsa njoftimi zyrtar ende mungon, sipas Sportmediaset, ndihmësi i Chivut nuk do të jetë Giovanni Martusciello, por më shumë gjasa do të jetë Walter Samuel.

Ish-mbrojtësi argjentinas, një figurë me eksperiencë dhe i lidhur ngushtë me Interin dhe vetë Chivun, është emri i preferuar për të mbështetur trajnerin e ri në drejtimin e skuadrës.

Ky rikthim i Chivut te Interi si trajner përfaqëson një hap të rëndësishëm për klubin dhe tifozët, që presin një rikthim të madh të Nerazzurrëve në skenën e futbollit italian dhe europian.

Top Channel