“Bëra disa zgjedhje të gabuara, por…”, Spalleti për Ranierin: Njeriu i duhur? Nuk e di, por është profesionist i vërtetë

09/06/2025 17:13

Pas shkarkimit nga detyra e trajnerit të Kombëtares nga presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gravina, dhe pak orë para ndeshjes së tij të fundit në pankinën e Italisë sonte kundër Moldavisë në Mapei Stadium të Reggio Emilias, Luciano Spalletti ka folur ekskluzivisht për Rai Sport.

Trajneri nga Certaldo është shfaqur i qetë dhe e ka përqendruar vëmendjen tek rëndësia e marrjes së tre pikëve për ta kthyer Kombëtaren në rrugën e duhur, atë që çon drejt Kupës së Botës 2026.

“Si kam fjetur natën e kaluar? Është e qartë se këto situata varen nga ndjenjat që vendos në atë që bën. Për mua është e vështirë të fle në raste të tilla. Gjithçka më prek dhe asgjë nuk më kalon lehtë. Humbjet më ndikojnë më shumë se fitoret. Ajo që ndodhi është diçka që do ta përpunoj me kalimin e kohës. Shpresoja për një fund ndryshe? Nëse i referohesh 22 muajve, normal që njeriu bën reflektime, edhe pse nuk mund të kthehesh mbrapa.

Disa nga zgjedhjet që bëmë rezultuan të gabuara sepse zgjodhëm njerëzit e gabuar ose donim të bënim gjëra ndryshe, por më vjen keq sidomos sepse nuk pata në dispozicion lojtarë të rëndësishëm për shkak të dëmtimeve. Erdhëm për të luajtur ndeshjen kundër Norvegjisë në kushte të veçanta, me finalen e Ligës së Kampionëve që kishte konsumuar energji mendore te disa nga lojtarët tanë dhe me norvegjezët që kishin zhvilluar dy ndeshje përgatitore. Dhe pastaj ndodhi ajo që ndodhi…”, u shpreh Spalletti.

Spalletti u rikthye edhe te mënyra se si u bë publike shkarkimi i tij, në veçanti për konferencën për shtyp të mbajtur dje vetëm, ku ai vetë shpalli vendimin e federatës.

“Unë dola në konferencë sepse ishte e parashikuar para ndeshjes. Nëse dikush nga Federata donte të vinte me mua, mund të vinte… Por gjithçka u bë në miqësi dhe transparencë. Pse të vazhdonim me dy ditë të tjera gënjeshtra? Nuk shoh asnjë arsye… Jemi në marrëdhënie shumë të mira dhe në miqësi të sinqertë. Nëse më thua një gjë që nuk shkon dhe merr një vendim, nuk mund të më kërkosh të qëndroj në një situatë që nuk e dua, pra ta mbaj të fshehtë. A është mungesë respekti ndaj italianëve të mos e thuash? Ndoshta, por nuk e di. Federata gjithmonë ka marrë përgjegjësitë e veta. Unë do të kisha vazhduar me këta lojtarë, siç e thashë edhe pas humbjes me Norvegjinë.

Ndonjëherë zemërohem dhe bëhem rebel, por rrugëtimi im dhe historia ime janë ndërtuar mbi këto gjëra. Kam qenë katër vite e gjysmë në Rusi, katër në Empoli, shtatë gjithsej në Romë, disa vite në Udinese… Dhe jam thirrur sërish në klubet ku kam qenë… Nuk jam nga ata që bëjnë rrëmujë siç thonë disa, por gjithmonë mbroj kauzën, familjen. Për këtë arsye dje përmenda emrat e atyre që më kanë qëndruar pranë, dhe harrova të përmend Gigi Buffon… Por punën time di ta bëj vetë.

Nuk është një rezultat që përcakton karrierën time. Nëse kam bërë rrëmujë gjatë karrierës sime, ka qenë sepse dikush tjetër që duhej ta bënte, nuk e bëri. Kësaj radhe nuk duhej të bënte rrëmujë askush. Kësaj radhe kam bërë gabime, por nuk e di cilat. Kam besuar te këta lojtarë që kam zgjedhur dhe vazhdoj të besoj”, tha tekniku italian

Pavarësisht shkarkimit, Spalletti është i bindur se Italia do të arrijë objektivin e kualifikimit në Botërorin e 2026-ës.

“Jam super i bindur që Italia do të shkojë në Botëror. Nuk kam dhënë dorëheqjen, por për shkak të respektit për njerëzit që më zgjodhën, e kam firmosur zgjidhjen e kontratës. Paratë? Nuk janë problem. Me kombëtaren është ndryshe: i lë dhe kaq. Me klubet është tjetër gjë, te Inter nuk i lashë, sepse kishin ndodhur disa gjëra. Me kombëtaren jo. I lashë paratë dhe firmosa zgjidhjen. Secili mund ta interpretojë si të dojë, por kjo është situata.

Kam një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin për mënyrën si u soll me mua. Ishte në dyshim nëse do të vazhdonim bashkë, dhe ishte e drejtë që ma tha. Vendimin e bëra publik sepse nuk ishte e drejtë ta mbaja të fshehtë për dy ditë. Sot do të jem edhe më perfekt në përgatitjen e ndeshjes dhe në fjalimin për skuadrën. Dhe lojtarët do të bëjnë çmos për të më lënë me një fitore të bukur. Nuk kam thënë kurrë asgjë kundër tyre”, tha ish-trajneri i Interit.

Për sa i përket së ardhmes së tij, Spaletti nuk dha asnjë siguri: pushim një vjeçar apo rikthim i menjëhershëm në një klub?

“Se çfarë do të bëj, nuk e di. Të gjitha opsionet janë të mundshme. Kam nevojë të punoj në mënyrën time. Një gjë do ta bëj: do të mbështes personin që do të më pasojë. Kujtoni çfarë thashë për Mancinin, për Kombëtaren e fortë që fitoi Europianin dhe që unë e trashëgova prej tij. Shpresoj që kushdo që vjen pas meje të bëjë më mirë dhe ta çojë Italinë në Botëror. Nëse do të kisha qëndruar, do të ishte sepse besoja se do të shkonim në Botëror. Kishte një rezultat të keq në Norvegji, por kishte kohë për ta përmirësuar ose për ta bërë përmes ‘playoff’-it”, u shpreh Spalleti.

Në fund, ai pati disa fjalë për Claudio Ranierin, pasardhësin e tij të mundshëm.

“A është Ranieri njeriu i duhur? Nuk e di, por është një profesionist që ka udhëtuar nëpër botë, është i balancuar dhe me Romën, kur u emërua si zëvendësues, arriti të prekë telat e duhur me lojtarët. Federata do të zgjedhë personin e duhur. Unë nuk jam si shumë të tjerë, të siguroj për këtë: unë do të bëj tifo për të”, përfundoi ai.

Top Channel