Atentatet tashmë bëhen hapur në Kolumbi! U qëllua me plumb në kokë, si paraqitet gjendja e kandidatit presidencial

09/06/2025 08:57

Kolumbia është përfshirë nga tronditja dhe pasiguria pas një sulmi të rëndë ndaj kandidatit presidencial dhe senatorit të njohur konservator, Miguel Uribe Turbay.

Ai u qëllua tre herë, dy herë në kokë, gjatë një tubimi elektoral në një park në kryeqytetin Bogota.

Senatori 39-vjeçar, pjesë e partisë opozitare Centro Democrático, ndodhet aktualisht në kujdes intensiv dhe në gjendje kritike për jetën, pas ndërhyrjeve kirurgjikale të kryera në spitalin Santa Fe.

Sulmi ndodhi të shtunën pasdite, përpara dhjetëra mbështetësve të tij.

Sipas autoriteteve, një adoleshent 15-vjeçar u arrestua në vendngjarje, pasi ishte qëlluar në këmbë nga oficerët gjatë ndjekjes.

Gruaja e Uribes, Maria Claudia Tarazona, bëri thirrje për lutje kombëtare, ndërsa presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, shprehu solidaritet në një mesazh:

“Sot është një ditë dhimbjeje. Ka dallime politike mes nesh, por kjo nuk ka rëndësi tani. Le të bashkohemi të gjithë për jetën e Miguel Uribes.”

Qeveria e Petro-s dhe partia Centro Democrático e dënuan ashpër sulmin, duke e cilësuar si një kërcënim ndaj demokracisë.

Ministri i Mbrojtjes Pedro Sanchez ofroi një shpërblim prej 3 miliardë pesos (rreth 730,000 dollarë) për çdo informacion që mund të ndihmojë hetimin.

Top Channel