
Artistja Jennifer Lopez ka vendosur të sfidojë veten me një nga rolet më të guximshme të karrierës së saj.
Superylli 55-vjeçar po tërheq vëmendjen me paraqitjen e saj në trailerin e parë të filmit “Kiss of the Spider Woman”, ku shfaqet me të brendshme dhe mjaft sensuale, por detaji që bie në sy është edhe puthja pasionante me aktorin Diego Luna.
Ajo që e bën këtë projekt edhe më intrigues është fakti që ish-bashkëshorti i Lopez, Ben Affleck, është një nga producentët ekzekutivë të filmit, së bashku me mikun e tij të vjetër, Matt Damon. Një rikrijim i musical-it të Broadway-it të vitit 1993, i bazuar në romanin e Manuel Puig të vitit 1976. Filmi paraqet JLo-n në rolin e një ylli kinemaje të quajtur Aurora, e krijuar në imagjinatën e një parukieri homoseksual, Luis Molina, i cili ndodhet në burg i akuzuar për korrupsion ndaj një të mituri.
Me regji nga fituesi i çmimit Oscar, Bill Condon, musical-i pritet të dalë në kinema më 10 tetor të këtij viti.
Aurora, e interpretuar nga Lopez, ekziston vetëm në mendjen e Molinës, i cili krijon fantazi të gjalla filmike për të shpëtuar nga realiteti i zymtë i burgut. Një nga këto fantazi e portretizon Aurorën si Spider Woman, një sirenë vdekjeprurëse që i puth viktimat përpara se t’i vrasë.
Diego Luna interpreton Valentin Arregui-n, shokun e qelisë së Molinës, një marksist me të cilin ai krijon një lidhje të thellë emocionale gjatë rrjedhës së historisë. Filmi nisi provat në shkurt 2024 dhe xhirimet filluan në prill në New Jersey./ TAR
Top Channel