
Toka e luleshtrydhes, kështu njihet ndryshe fshati Kafaraj.
Ishte pikërisht ky frut që e ktheu 32-vjeçarin Albano Troka në fshatin e tij, edhe pse në Tiranë eksperti i IT-së kishte ngritur disa biznese të suksesshme. Ishte toka ajo që e thirri në vendlindje.
“Aktualisht në Tiranë kam disa biznese dhe tani jam rikthyer duke investuar në vendlindjen time, në Kafaraj. Kjo është një zonë që mbahet për traditën e kultivimit të luleshtrydhes. Më pëlqen si kulturë dhe dua që ta zhvilloj këtë sektor”, thotë fermeri.
Por rikthimi në fshat nuk u mirëprit nga prindërit e Albanos, pasi edhe vetë ata kishin qëndruar larg bujqësisë, me mendimin se ky sektor të lodh shumë dhe të shpërblen pak.
Por sot, ata janë bashkëpunëtorët më të mirë të Albanos: “Në fillim prindërit nuk dëshironin që të merresha me këtë punë. Por guximi dhe pasioni më shtynë që të bëja këtë investim.”
Fermerët e luleshtrydhes këtë vit jo vetëm që kanë kërkuar çmimin, por edhe tregun, pasi prezenca e kimikateve i mbajti ata larg konsumatorit. Por ndryshe është historia e Albanos. Edhe pse është një fermer i ri, ai jo vetëm tregton në Tiranë, por edhe në Europë, sepse në Kafaraj prodhohen edhe luleshtrydhe pa kimikate.
“Aktualisht kam 5 ha, por në të ardhmen dëshira është që ta dyfishoj këtë kulturë. Dua që t’i rris emrin luleshtrydhes shqiptare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, duke implementuar mënyrat e trajtimit si ato që bëhen në BE”, shton Albano.
Kontrolli biologjik nuk është vetëm e ardhmja e Albanos, por edhe e gjithë bujqësisë, sepse të gjithë janë në kërkim të një produkti me zero pesticide. Kjo metodë nuk kërkon investim të shtuar, por vetëm besim se një insekt i dobishëm mund të zhdukë nga sera dëmtuesin e prodhimeve.
Eksperti i bujqësisë, Klodian Rama thotë: “Kontrolli biologjik është një mënyrë shumë efikase për sigurinë ushqimore. Në këtë mënyrë ne sigurojmë produkt të pastër, pa mbetje, të cilat janë të sigurta për konsumatorin dhe garantojnë tregun në Europë. Në këtë mënyrë, fermeri mbron mjedisin dhe shëndetin e tij.”
Kontrolli biologjik është një risi për bujqësinë shqiptare. Për herë të parë, këtë metodë e mbështeti edhe Ministria e Bujqësisë në skemën kombëtare, duke dhënë subvencione për fermerët që e aplikojnë.
Top Channel