Murtaja që vret bagëtitë, sëmundja shfaqet në Shqipëri/ Një vit më parë, në Greqi vrau 160 mijë dele dhe dhi

08/06/2025 12:11

Murtaja e ruminantëve nuk është një sëmundje e rrezikshme për njeriun, por është katastrofike për popullatën e të imtave.

Ky infeksion përhapet në mënyrë të shpejtë te kafshët, duke sjellë mortalitet 100% të tufës ku shfaqet. Murtaja e të imtave është një sëmundje e re për veterinarët shqiptarë.

Një vit më parë, në Greqi, brenda një muaji murtaja e bagëtive u përhap në 11 rajone të Greqisë nga 13 që ka gjithsej. Kjo sëmundje solli një krizë të rëndë për sektorin e blegtorisë, pasi u asgjësuan 160 mijë dele dhe dhi.

Ervin Resuli, mjek veterinar: “Është një sëmundje e cila jep më tepër dëm ekonomik, pasi shkon deri në 100% të tufës. Ka më tepër probleme në aspektin ekonomik dhe dëme te popullata e të imtave.”

Murtaja e ruminantëve në Greqi u transmetua nga kafshët e importuara nga Rumania dhe Turqia, të cilat nuk ishin të shoqëruara me një certifikatë shëndetësore. Ndërsa në Shqipëri ende nuk kemi një përgjigje se si kjo sëmundje u shfaq në fermën e dhive në Postribë të Shkodrës.

Ervin Resuli, mjek veterinar: “Para një viti kemi pasur në shtetin fqinj, në Greqi, ku bëri dëme të mëdha në atë vend, dhe Shqipëria mori masa për të parandaluar transmetimin e virusit nga Greqia në Shqipëri.”

Blegtorët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të lajmërojnë menjëherë nëse kafshët e tyre kanë shenja të sëmundjes që shfaros bagëtinë.

Ervin Resuli, mjek veterinar: “Kërkon një vigjilencë të shtuar për sa i përket shërbimit veterinar dhe blegtorëve të kafshëve. Ata duhet të kenë kujdes nëse shohin që bagëtia ka rrjedhje nga hundët, sytë, ulje të nivelit të qumështit apo aborte të shtuara.”

Veterinerët e Ministrisë së Bujqësisë dyshojnë se kjo sëmundje nuk është prezente vetëm në Shkodër, por edhe në Dibër, pasi në një tjetër fermë janë regjistruar humbje të kafshëve të imta.

Top Channel