Baraspeshë në 90 minuta në Allianz Arena, Spanja dhe Portugalia drejt shtesës për të vendosur fituesin e UEFA Nations League

08/06/2025 23:04

90 minuta nuk kanë mjaftuar për të kurorëzuar fituesin e radhës së UEFA Nations League.

Derbi Iberik u nis me vrull nga kombëtarja spanjolle e cila e zhbllokoi rezultatin në minutën e 21-të me anë të mesfushorit bask, Martin Zubimendi që gjeti rrjetin pas rrëmujës së krijuar në zonën portugeze nga aksioni i iniciuar nga Yamal.

Por avantazhi i Spanjës zgjati vetëm 5 minuta pasi në minutën e 26-të të takimit mbrojtësi i majtë i PSG-së, Nuno Mendes gjeti rrjetën me një aksion individual.

Në frymën e fundit të pjesës së parë spanjollët gjetën sërish rrjetën me anë të Mikel Oyarzabal i cili u shërbye nga Pedri.

Baraspeshën në Allianz Arena e solli i përhershmi, Cristiano Ronaldo që ndëshkoi Spanjën pas një pasigurie në mbrojtjen e tyre.

Rastet për të gjetur golin e tretë ishin të shumta nga të dyja ekipet deri në fund të kohës së rregullt, por pa sukses.

Kështu, fituesi do të kurorëzohet në shtesë e nëse as në 30 minutat e ardhshme nuk mbyllen llogaritë, pika e bardhë e penalltisë do shpallë kampionin e ardhshëm të UEFA Nations League.

Si Spanja ashtu dhe Portugalia e kanë fituar nga një herë këtë trofe.

Top Channel