
Kilmar Abrego Garcia, një 29-vjeçar nga El Salvadori, i cili ishte deportuar gabimisht nga autoritetet amerikane në mars, është rikthyer në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me dy akuza penale federale lidhur me trafikimin e emigrantëve pa dokumente.
Sipas aktakuzës së paraqitur muajin e kaluar në një gjykatë federale në Tenesi, Abrego Garcia akuzohet për komplot dhe transport të paligjshëm të emigrantëve, duke përfshirë anëtarë të bandës MS-13.
Prokurori i Përgjithshëm Pam Bondi deklaroi të premten se El Salvadori pranoi lirimin e tij pas paraqitjes së një urdhri arresti nga SHBA-të, duke shtuar se Abrego Garcia ka luajtur një “rol të rëndësishëm” në një rrjet shumëvjeçar kontrabande.
Avokatët e Abrego Garcias i quajtën akuzat “absurde” dhe “një abuzim të pushtetit”. Simon Sandoval Moshenberg, një nga mbrojtësit e tij ligjorë, akuzoi qeverinë amerikane se kishte vepruar në kundërshtim me një urdhër gjykate dhe kishte “zhdukur” klientin e tij në një burg famëkeq në El Salvador.
Presidenti Donald Trump, duke komentuar rastin, e cilësoi Abrego Garcian si një “djalë të keq” dhe mbrojti vendimin për rikthimin e tij në SHBA, duke theksuar se ai do të përballet me drejtësinë.
Abrego Garcia hyri ilegalisht në SHBA si adoleshent dhe në vitin 2019 u ndalua në Maryland, por një gjykatës i imigracionit i dha mbrojtje nga deportimi për shkak të rrezikut të përndjekjes në vendin e tij të origjinës.
Pavarësisht kësaj, ai u deportua në mars si pjesë e një goditjeje të gjerë të imigracionit, në bazë të Aktit të Armiqve të Huaj të aktivizuar nga administrata Trump.
Top Channel