Rivalët e Shqipërisë fitojnë sërish/ Tuchel shkruan historinë me Anglinë, Kane shpëton “Tre Luanët” nga turpi me Andorrën

07/06/2025 19:57

Anglia ka siguruar një fitore minimale 1-0 ndaj Andorrës në Barcelonë, duke ruajtur ecurinë perfekte në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

Edhe pse rezultati ishte në favor të “Tre Luanëve”, performanca në fushë la shumë për të dëshiruar, veçanërisht gjatë pjesës së parë, ku lojtarët anglezë u shoqëruan me fishkëllima nga tifozët në fund të 45 minutave të para.

Goli i vetëm i ndeshjes erdhi nga kapiteni Harry Kane, i cili shënoi nga afër për të vendosur fatin e takimit. Andorra pati një rast të vetëm gjatë gjithë lojës, por nuk arriti ta konkretizonte.

Në minutat e fundit, Anglia pati mundësinë të dyfishonte me Madueke, por ai dërgoi një goditje të dobët drejt portës pas një aksioni të shpejtë me Gordon dhe Gibbs-White.

Me këtë fitore, Thomas Tuchel shkruan historinë si trajneri i parë i Anglisë që fiton tre ndeshjet e para zyrtare në krye të ekipit pa pësuar asnjë gol. Megjithatë, loja ndaj një kundërshtari të renditur i 173-ti në botë ngre pikëpyetje për formën e skuadrës në vazhdim.

Kështu Anglia ruan kreun e Grupit K me pikë të plota, aty ku bën pjesë dhe Shqipëria.

Top Channel