
Rusia ka akuzuar Ukrainën për shtyrjen e shkëmbimit të të burgosurve të luftës dhe trupave të ushtarëve të vrarë në luftë, që ishte planifikuar të zhvillohej këtë fundjavë, siç u ra dakord pas raundit të dytë të bisedimeve ruso-ukrainase në Stamboll.
Sipas kryenegociatorit nga pala ruse, Vladimir Medinsky, “pala ukrainase shtyu papritur marrjen e trupave dhe shkëmbimin e të burgosurve të luftës për një datë të paspecifikuar”.
Ndërkohë, grupi i kontaktit i Ministrisë së Mbrojtjes ruse ka arritur në kufirin me Ukrainën, por sipas pretendimeve ruse, negociatorët e Kievit ende nuk kanë mbërritur në vendin e shkëmbimit.
Moska i bëri thirrje Kievit që t’i përmbahet në mënyrë strikte marrëveshjeve të arritura në Stamboll dhe të fillojë menjëherë shkëmbimin e të burgosurve të luftës, në mënyrë që 1,200 ushtarë dhe oficerë nga secila palë të kenë mundësinë të kthehen në atdheun e tyre.
Në të njëjtën kohë, Rusia i bëri thirrje Ukrainës të marrë trupat e 6,000 ushtarëve dhe oficerëve të Forcave të Armatosura të Ukrainës, në mënyrë që ata të mund të varrosen me dinjitet nga familjet e tyre.
Top Channel