
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare po përmenden si mundësi për daljen nga ngërçi insitucional në Kosovë, edhe pse jo të gjithë besojnë se ato do të sillnin ndonjë ndryshim të madh në raportin e forcave politike.
Sociologu Artan Muhaxhiri, njohës i zhvillimeve politike, i tha REL-së se ajo çfarë mund të ndodhë në një rast të tillë, është një rezultat i përafërt zgjedhor dhe rikthim në situatën ku jemi aktualisht. Muhaxhiri e shikon mbajtjen e zgjedhjeve të reja thjesht si tentativë për të vonuar zgjidhjen e situatës. Sakaq, Albert Krasniqi, nga organizata joqeveritare Demokraci Plus (D+), vlerëson se zgjedhjet mund të jenë e vetmja rrugëdalje, në rast se mungon kompromisi për konstituimin e Kuvendit, edhe pse as ai nuk pret që këto votime të sjellin ndryshime të mëdha në përfaqësimin e partive në Kuvend. 28 përpjekjet e deritanishme për konstituimin e Kuvendit pas parlamentareve të 9 shkurtit nuk kanë prodhuar dot asnjë rezultat.
Albulena Haxhiu, kandidaturën e të cilës për kryeparlamentare Albin Kurti nuk pranon ta zëvendësojë edhe pse ajo nuk po arrin t`i sigurojë votat e nevojshme, hodhi idenë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, bashkë me ato lokale, më vonë këtë vit.
Vetëvendosja që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk siguroi mjaftueshëm vota për të formuar e vetme qeverinë – duket se i shikon zgjedhjet e reja si zgjidhje, megjithatë për pjesën më të madhe të opozitës, ato nuk do ta ndryshojnë situatën në mënyrë thelbësore.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, thotë se nëse shkohet në zgjedhje të reja të përgjithshme, ato sipas tij duhet të mbahen tani shpejt e nuk ka përse të pritet që të zhvillohen bashkë me zgjedhjet lokale diku nga mesi i tetorit.
Top Channel