
Ministri i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Lumani, ishte sot në Korçë me rastin e çeljes së sezonit turistik.
Ai solli një mesazh të qartë për nevojën e forcimit të lidhjeve mes dy vendeve, duke theksuar se bashkëpunimi duhet të kalojë në një nivel më të institucionalizuar.
Në një prononcim për mediat ai bëri të ditur se po shqyrtohet mundësia për hapjen e një konsullate të Maqedonisë së Veriut në Korçë, si një hap konkret drejt intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në sektorin e turizmit.
“Ka lajme pozitive. Ne do të përpiqemi që në të ardhmen të krijojmë kushte për hapjen e një konsullate këtu, të emërojmë një konsull këtu dhe ai të merret më rrënjësisht, me guxim e pa frikë në kuptimin e hapjes së të gjitha dyerve për bashkëpunim, si në aspektin e tour operatorëve që janë edhe pjesë e Maqedonisë së Veriut edhe të pjesës së Shqipërisë. Në fund të fundit, edhe në rast se i sjellin vizitorët këtu në Korçë nuk kanë çfarë të humbin, përveçse përfitimit të dyanshëm. Mendoj se s’ka të bëjë këtu edhe pjesa e frikës, ndrojes, sepse Shqipëria është nga shtetet e para e cila pranoi pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që vende të tjera fqinje akoma edhe sot kemi kontestime të paqartësuara e të papranueshme për palën tjetër. Sido që të jetë, mendoj se është më tepër vullnet i yni i dyanshëm për të bashkëvepruar.
Të shfrytëzojmë të gjitha pasuritë që i kemi, edhe kulturën e dyanshme sepse vetëm në këtë mënyrë mund të shtegtojmë drejt asaj që është qëllimi i përbashkët. Do ta mbyll këtë intervistë me një fjali. Sado që u përpoqa unë ta ndal djalin tim të jetojë në vendlindje, në Kërçovë, në Maqedoni, ai në fund zgjodhi Zvicrën. Sado të përpiqemi ne ti ndalim edhe vizitorët edhe turistët të cilët pretendojnë Korçën, ata do të vijnë, me ose pa lejen tonë. Është mirë që ne bashkë t’iu japim një dorë, t’iu lehtësojmë mundësinë dhe tu mundësojmë atyre të shijojnë bukuritë e rralla që ka Korça, Ohri, Struga dhe vise të tjera”, u shpreh ai.
Top Channel