Video/ Momente të pabesueshme në Tajlandë! Elefant i uritur hyn në dyqan ushqimor dhe ‘bën pazar’ si klient i zakonshëm

05/06/2025 11:09

Një elefant i uritur shkaktoi një skenë të pazakontë në një dyqan ushqimor pranë Parkut Kombëtar Khao Yai, në verilindje të Tajlandës, të hënën, kur hyri brenda dhe filloi të konsumonte ushqimet nga raftet.

Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, elefanti mashkull – i njohur nga vendasit si Plai Biang Lek – u ndal për një moment para hyrjes së dyqanit që ndodhet buzë rrugës kryesore, përpara se të hynte plotësisht brenda.

Ai qëndroi për pak kohë para banakut, duke ngrënë qetësisht ushqime të paketuara, ndërsa punonjësit e parkut përpiqeshin ta largonin pa sukses.

“U shfaq papritur dhe thjesht hyri brenda si një klient i zakonshëm,” tha Kamploy Kakaew, pronarja e dyqanit, e cila e përshkroi ngjarjen me humor në një video që postoi më vonë. Ajo shtoi se elefanti kishte konsumuar rreth nëntë qese me biskota orizi të ëmbla, një sanduiç dhe disa banane të thata që ajo kishte blerë atë mëngjes.

Pas një “blerjeje” të pazakontë, elefanti u largua duke mbajtur ende një qese me ushqim në feçkë. Përveç pak dëmeve dhe disa gjurmëve balte në dysheme dhe tavan, dyqani fatmirësisht nuk pësoi shkatërrime serioze.

Autoritetet e parkut thanë se elefanti kishte dalë nga zona e mbrojtur në kërkim të ushqimit, një sjellje që ndodh herë pas here gjatë mungesës së frutave në habitatin e tij natyror.

Top Channel