
Forcat izraelite gjetën trupat e dy izraelito-amerikanëve që ishin rrëmbyer dhe marrë në Gaza si pengje gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit.
Judy Weinstein Hagai, 70 vjeç, e cila ishte gjithashtu një shtetase kanadeze, dhe bashkëshorti i saj 72-vjeçar Gandhi Hagai, u vranë gjatë sulmit në Kibbutz Nir Oz më 7 tetor 2023.
Trupat e tyre u gjetën gjatë natës në zonën Khan Yunis në Rripin jugor të Gazës dhe u transferuan në Izrael për identifikim mjeko-ligjor.
Aktualisht, 56 pengje mbahen ende nga Hamasi në Gaza, nga të cilët të paktën 20 besohet se janë gjallë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se ai dhe gruaja e tij u dërguan ngushëllime familjeve të Judy dhe Gandhi Hagai.
“Zemrat tona na dhembin për këtë humbje të tmerrshme. Qoftë i bekuar kujtimi i tyre”, shtoi ai.
“Dua të falënderoj dhe të shpreh mirënjohjen time për luftëtarët dhe komandantët për këtë operacion vendimtar dhe të suksesshëm. Nuk do të pushojmë dhe nuk do të heshtim derisa të kthehen të gjithë pengjet tona, të gjallë dhe të vdekur”, përfundoi Netanyahu.
Familjet e çiftit kujtuan se si ata “dolën për një shëtitje atë mëngjes të mallkuar të së shtunës dhe nuk u kthyen më kurrë”.
“Na vjen mirë që kjo çështje u mbyll dhe trupat e tyre u kthyen për t’u varrosur me dinjitet në atdheun e tyre”, thanë ata.
Top Channel