Gjithçka fillon me një klikim që nuk zgjat më tepër se disa sekonda, një koment, një mesazh apo një foto e menduar si shaka, disa të qeshura, ndërsa e ardhmja e dikujt ndryshon përgjithmonë.

Bullizmi kibernetik është një nga sfidat e heshtura që ka sjellë përhapja e teknologjisë dhe rrjeteve sociale. Tallje, përjashtim, ngacmim, janë disa nga termat që mund të tingëllojnë të largët për një pjesë të shoqërisë, por janë përditshmëria e shumë të rinjve që lundrojnë në mediat sociale dhe platformat online.

Sipas një studimi të ri nga departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, afërsisht 1 në 5 të rinj shqiptarë është prekur nga ajo që po shndërrohet shpejt në plagën sociale të dekadës.

Në partneritet me One Albania, departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit prezantoi gjetjet e një studimi kombëtar të fokusuar te bullizmi kibernetik në Shqipëri. Anketa, ndër të parat e llojit të vet në vend, solli në fokus një çështje që është rritur në heshtje në ‘skutat’ digjitale.

Gjetjet u prezantuan këtë të martë në një aktivitet që bëri bashkë zëra nga akademia, përfaqësues nga qeveria dhe sektori privat. Hulumtimi, që përfshin të dhëna nga mbi 850 pjesëmarrës, eksploron shumë nga mënyrat si manifestohet bullizmi kibernetik në grupmosha, platforma dhe kontekstet sociale të ndryshme.

Prof. Dr. Mark Marku, dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe njëkohësisht një nga personat që ka kryer studimin, nënvizoi rëndësinë e këtyre gjetjeve.

“Kemi mbledhur 860 pyetsorë nga dhjetë qytete të vendit dhe të dhënat reflektojnë qartë se bullizmi kibernetik mbetet një problem social shqetësues dhe me impakt jo të vogël për segmente të caktuara të shoqërisë. Ky studim, jo vetëm reflekton në shifra realitetin me të cilin po përballet brezi i ri, por ndihmon në qartësimin edhe të formave që shfaqet bullizmi kibernetik në grupmosha të ndryshme. Këto nuk janë vetëm statistika. Janë histori. Janë sinjale se duhet t’i kushtojmë vëmendje asaj që po ndodh nën sipërfaqen e jetës digjitale.”, tha dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Marku.

Për One Albania, mbështetja e këtij studimi reflekton shumë qartë vizionin e kompanisë: përgjegjësia nuk ndalet vetëm në ofrimin e lidhjes, ajo shkon përtej rrjetit. Si një nga ofruesit kryesorë të teknologjisë në vend, One Albania mbetet e vendosur për të promovuar një hapësirë digjitale të sigurt.

“Ne e shohim rolin tonë jo vetëm si kompani ofruese e shërbimeve mobile dhe internet, por si pjesëmarrës aktivë në komunitet. E mbështetëm këtë studim sepse duam të jemi pjesë e nje diskutimi më të gjerë që shoqëria duhet të ndërmarrë. One Albania do të jetë pjesë e reflektimit, por edhe e zgjidhjes”, tha drejtoresha e çështjeve të koorporatës në One Albania, Jonilda Filipi.

Angazhimi ndaj sigurisë online për One Albania nuk ndalet vetëm te fushatat e ndërgjegjësimit. Përgjegjësia sociale është e integruar plotësisht në shërbimet e One Albania, duke ofruar alternativa si One Safe, një platformë e krijuar për ta bërë shfletimin në web më të sigurt.

One Safe mbron të gjitha pajisjet e lidhura me rrjetin One nga faqet e rrezikshme të internetit, softuerët keqdashës dhe përmbajtjet e papërshtatshme. Me One Safe, përdoruesit në të gjithë Shqipërinë mund të përfitojnë:

• Siguri nga rreziqet në internet;
• Mbrojtje për çdo pajisje të lidhur me rrjetin One;
• Kontroll prindëror për përdorimin e internetit nga fëmijët duke filtruar përmbajtjen bazuar në kategoritë e përshtatshme për moshën.

Siguria online shkon përtej shfletimit. Bullizmi kibernetik , kjo plagë e heshtur sociale e dekadës, është një nga sfidat që teknologjia ka sjellë, por së bashku, ne mund të ndërtojmë një të ardhme digjiitale më të përgjegjshme.

Top Channel